Të papunë dhe pa shpresë, 1 milion vetë mbijetojnë me supën falas të kishës
SUZANNE DALEY, NYT
Një mbrëmje pak ditë më parë, një grua plot gjallëri e re po seleksiononte zarzavate jashtë një dyqani në lagjen punëtore të Vallecas në Madrid, pasi dyqani qe mbyllur. Në pamje të parë, dukej si një punëtore e dyqanit. Por jo. Gruaja e re po kërkonte te plehrat e ditës për vaktin e saj të ardhshëm. Ajo gjeti disa patate të vjetruara, të cilat i gjykoi si të ngrënshme dhe i futi në një karrocë supermarketi aty pranë.
“Kur nuk ke mjaftueshëm para”, thotë ajo duke refuzuar të japë emrin e vet, “kjo është çfarë të mbetet të bësh”. Gruaja, 33 vjeç, thotë se dikur punonte te një zyrë postare, por pagesat e papunësisë mbaruan dhe tashmë i mbetet vetëm ndihma ekonomike prej 400 eurosh në muaj. Ajo po mbijetonte në një shtëpi të përbashkët me disa miq ku ka ende ujë dhe energji elektrike, ndërsa mbledh “pak nga të gjitha” nga koshat e plehrave jashtë dyqaneve kur këto të fundit mbyllen dhe rrugët boshatisen.
Taktika të tilla mbijetese po bëhen gjithnjë e më shumë të zakonshme në Spanjë, ku papunësia mes të rinjve është në masën 50 për qind dhe gjithnjë e më shumë familje kanë pjesëtarë të tyre pa punë. Aq i përhapur është ky problem, sa një prej qyteteve spanjolle urdhëroi mbylljen me dry të kazanëve të plehrave pranë supermarketeve për të parandaluar sëmundjet.
Një raport i këtij viti nga organizata bamirëse katolike “Caritas”, tha se ushqeu më shumë se 1 milion spanjollë të uritur gjatë vitit 2010, dy herë më shumë nga sa ishin në vitin 2007. Ky numër u rrit sërish më 2011 me 65 mijë vetë të tjerë.
Ndërsa Spanja përpiqet dëshpërimisht të arrijë objektivat e veta buxhetore, ajo është detyruar të ndjekë të njëjtën rrugë me Greqinë, duke njoftuar kufizime shpenzimesh njëra pas tjetrës, duke shkurtuar vendet e punës, pagat, pensionet dhe ndihmat ekonomike, ndërkohë që ekonomia vijon të ulet.
Së fundmi, qeveria e rriti tatimin mbi vlerën e shtuar me 3 për qind duke e çuar atë në 21 për qind për shumicën e mallrave, si dhe e rriti me 2 për qind për shumë mallra ushqimore, duke e bërë jetën shumë më të rëndë për ata që gjenden në shtresën e poshtme të shoqërisë. Shumë pak lehtësime janë në pritje, për shkak se qeveritë rajonale të këtij vendi po përballen me krizat e veta buxhetore dhe po tërheqin disa shërbime që më parë jepeshin falas, përfshirë dreka në shkollë për fëmijët e familjeve të varfra.
Për një numër gjithnjë e më të madh familjesh, ushqimet që gjenden te kazanët e plehrave plotësojnë nevojat e tyre. Pranë një supermarketi të stërmadh frutash dhe zarzavatesh në dalje të qytetit të Gironës së fundmi, punëtorët e plehrave u dëshpëruan kur shkuan të ngarkonin kazanët në kamion. Por pothuajse në çdo kazan gjetën burra dhe gra që po mblidhnin çfarë të mundnin nga ushqimet që supermarketi i kishte konsideruar të kalbura dhe të pavlefshme.
“Është kundër dinjitetit të këtyre njerëzve që të detyrohen të kërkojnë për ushqim në këtë mënyrë”, thotë Eduardo Berloso, një zyrtar në Girona, pasi urdhëroi mbylljen e kazanëve të plehrave me dry.
Ai e propozoi këtë masë ekstreme muajin e kaluar, pasi dëgjoi nga punonjësit socialë se çfarë po ndodhte dhe pasi pa me sytë e tij “veprimet poshtëruese të një nëne me fëmijët e vet që po kërkonin nga koshi në kosh për ushqime”.
“Caritas” raporton se rreth 22 për qind e familjeve spanjolle po jetonin në varfëri dhe se rreth 600 mijë vetë nuk kishin asnjë lloj të ardhure. Këto shifra pritet të përkeqësohen më tej në muajt e ardhshëm.
Rreth një e treta e atyre që po kërkojnë ndihmë, thotë “Caritas”, nuk kanë përdorur kurrë shërbimet e kuzhinës së supës dhe bukës falas para se të vinte kriza ekonomike. Për shumë prej tyre, nevoja për të kërkuar ndihmë i vë në siklet. Në disa raste, familjet shkojnë për t’u ushqyer në kuzhinat në periferitë e qyteteve në mënyrë që miqtë dhe të njohurit e tyre të mos i shohin.
Në Madrid, së fundmi, një supermarket u përgatit për të mbyllur ditën e punës në lagjen “Entrevias” të Vallecas. Një turmë u grumbullua, gati për t’u zhytur në kazanët e plehrave që pas pak do të mbusheshin me mbeturinat e ditës. Shumë prej tyre reaguan të zemëruar nga prania e gazetarëve. Në fund, vetëm disa prej tyre arritën të marrin diçka pasi makinat e plehrave erdhën me shpejtësi dhe i zbrazën kazanët.
Por në mëngjes te stacioni i autobusit te tregu me shumicë, burra dhe gra të të gjitha moshave pritën, me çantat e tyre të mbushura me ushqime. Shumë thanë se i kishin blerë në dyqan, megjithëse këtu nuk shitet ushqim me pakicë. Disa pranuan se i kishin mbledhur ushqimet te plehrat. Victor Victorio, 67, një emigrant nga Peruja, tha se vinte rregullisht këtu për të mbledhur fruta dhe perime të hedhura. Ai ka humbur punën e tij në ndërtim në vitin 2008 dhe jetonte bashkë me vajzën. Ai bënte gjithçka për të kontribuar në jetesën e përbashkët. Këtë ditë kishte gjetur speca, domate dhe karota për familjen. “Ky është pensioni im”, tha ai.
Për tregtarët që shesin këtu, pamja e njerëzve që mbledhin plehra është trishtuese.
“Nuk është e këndshme të shohësh se çfarë po u ndodh këtyre njerëzve”, tha Manu Gallego, menaxher i një dyqani frutash. “Kjo nuk duhet të ndodhë”.
Në Girona, Berloso thotë se me mbylljen e kazanëve me dry, synonte t’i mbante njerëzit të shëndetshëm dhe t’i shtynte të shkonin të ushqeheshin te restorantet e licencuara të të varfërve, te kuzhinat e supës.
Ndërsa drynat u vunë te kazanët, qyteti ka dërguar punonjësit e vet me kuponë për t’i mësuar njerëzit të regjistrohen për shërbimet shoqërore dhe për ndihma ushqimore. Ai thotë se 80 deri në 100 njerëz u drejtoheshin rregullisht kazanëve për të mbledhur ushqim derisa ai veproi dhe se gjasat janë se shumë të tjerë të pashënuar bënin të njëjtën gjë.
Por drynat e Berlosos shkaktuan zemërim në të gjithë Spanjën, ku kriza ekonomike ka krijuar gjithnjë e më shumë protesta ku vihet në pah uria. Një grup kryebashkiakësh dhe sindikalistësh në Spanjën e jugut, ku papunësia është shumë më e lartë sesa mesatarja, së fundmi organizuan sulme të llojit Robin Hud në dy supermarkete, duke ngarkuar karrocat me ushqime bazë dhe duke i shtyrë pronarët të dhuronin më shumë ushqime për njerëzit në nevojë.
Disa dhjetëra vetë tashmë po përballen me akuzat për vjedhje mbi këtë ngjarje. Por ata janë shumë të qetë dhe duket se kanë mbështetje të madhe nga popullsia. “Nëse të marrësh ushqime për t’ua dhënë familjeve që kanë me të vërtetë nevojë është vjedhje, atëherë unë jam fajtor”, tha njëri prej tyre, Francisco Molero, një punëtor ferme anëtar i një sindikate.
Disa politikanë thonë se në fakt drynat te kazanët e plehrave nuk janë për shëndetin, por për të mbrojtur imazhin e qytetit. Dominuar nga ndërtesat mesjetare dhe rrugët piktoreske të gurit, si dhe me një lagje shumë mirë të konservuar hebraike, qyteti me 100 mijë banorë e realizon shumicën e të ardhurave të veta nga turizmi.
“Punonjësit socialë apo agjentët civilë mund t’i referojnë njerëzit te qendrat e shpërndarjes së ushqimeve pa pasur nevojë të mbyllin kazanët me dry”, thotë Pia Bosch, një këshilltar socialist i bashkisë. “Është njësoj si të tentosh të vrasës një mizë me një top”.
Norma e papunësisë në Girona vijon të jetë relativisht e ulët, 14 për qind në krahasim me mesataren prej 25 për qind të të gjithë Spanjës. Por gjithnjë e më shumë familje nuk kanë të ardhura. Nga të 7700 të papunët e qytetit, thotë Berlosi, 40 për qind kanë ezauruar edhe përfitimet e papunësisë.
Shumë prej tyre “janë njerëz që nuk e prisnin kurrë të gjendeshin në një situatë të tillë”, thotë ai.
Ramon Barnera, i cili drejton programin “Caritas” në Girona, thotë se organizata e tij e kuptoi që herët se turpi po i mbante të varfrit larg kërkesës për ushqime falas. Për këtë arsye, tre vjet më parë, ai ndihmoi në krijimin e një rrjeti të shpërndarjes së ushqimeve falas që ngjanin më shumë me supermarketet, si dhe hoqi emrin e shoqatës së bamirësisë në pjesën e jashtme të ndërtesës.
“Ne punuam për ndërtimin e një sistemi që mund të japë dinjitet”, thotë Barnera. “Kjo nuk është një situatë e lehtë për njerëzit”.
Një mëngjes, Juan Javier, 29 vjeç, i cili kishte ardhur për të marrë qumësht, makarona, zarzavate dhe vezë nga një nga këto qendra shpërndarjeje, qe një nga klientët e paktë që pranoi të flasë për rrethanat ku gjendej.
Një ish-punonjës shtypshkronje, ai ka qenë pa punë për dy vjet. “Do të më pëlqente të kisha një punë e të mos vija këtu”, thotë ai.
Në një kuzhinë supe falas aty pranë, Toni López, 36 vjeç, priste i qetë për vaktin e ditës sëbashku me të dashurën e tij, Monica Vargas, 46 vjeç, parukiere. Çifti së fundmi mbeti pa strehë kur nuk arritën të paguajnë për dy muaj radhazi qiranë.
“Përgjatë të gjithë jetës ne kemi punuar”, thotë Lopez. “Ne jemi këtu vetëm për faktin se jemi njerëz të ndershëm. Pronari trokiti në derë për të kërkuar qiranë dhe ne i thamë, ‘urdhëro çelësat’”.
Lopez, i cili arrin të gjejë pak orë punë me raste në kuzhinat e restoranteve thotë se ka një motër, por nuk ka shkuar t’i kërkojë ndihmë. “Nuk e mbaj dot t’i them asaj”, thotë ai. “Unë gjithmonë ia kam dalë vetë. Gjithmonë ia kam dalë në krye, vetëm jo tani”.
Skeda: Spanja
- Popullsia: 47 milionë
- Sipërfaqja: 506 mijë km2
- PBB për frymë: 23 mijë euro në vit
- Papunësia: 25 për qind e forcës së aftë për punë
- Vende pune të humbura gjatë krizës: 2.8 milionë