Autoritetet gjermane kanë arrestuar dy persona të dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë, bëri të ditur Zyra e Prokurorit Federal në Gjermani.
Sipas njoftimit zyrtar, Alla S. u arrestua në rajonin e North Rhine-Westphalia nga forcat speciale të policisë dhe oficerë të Agjencia Bavareze e Krimit (BKA). Ndërkohë, Sergey N. u ndalua në Alicante nga autoritetet spanjolle.
Hetimet tregojnë se dy të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar në emër të një shërbimi inteligjence rus që nga dhjetori i vitit 2025, duke mbledhur informacione në Gjermani.
Sipas raportimeve të Der Spiegel, ata kishin vënë nën mbikëqyrje një person të lidhur me furnizimin e dronëve për Ukrainën, duke filmuar sistematikisht vendin e tij të punës dhe të banimit.
Autoritetet gjermane dyshojnë se ky aktivitet mund të ketë shërbyer për përgatitjen e operacioneve të mëtejshme, përfshirë mundësinë e një sulmi apo atentati ndaj objektivit.
Personi i vënë në shënjestër është zhvendosur tashmë në një vend të sigurt dhe është nën masa të shtuara mbrojtjeje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe qëllimet e operacionit të dyshuar të spiunazhit.
