Masakra 


Ishte 11 korriku i vitit 1995, kur 8 mijë burra dhe djem myslimanë u ekzekutuan nga forcat serbe


U përkujtua dje në Srebrenicë 17-vjetori i masakrës më të madhe në Ballkan, të bërë nga forcat serbe. Mijëra persona, pavarësisht temperaturave të larta, u mblodhën në orët e para të ditës së djeshme në Srebrenicë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në nder të viktimave të gjenocidit të 17 viteve më parë dhe për funeralin e 520 viktimave që u identifikuan me testin e ADN-së në 12 muajt e fundit. Ishte 11 korriku i vitit 1995, kur 8 mijë burra dhe djem myslimanë u ekzekutuan nga forcat serbe. Kjo masakër është një ndër më fatkeqet në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore. Srebrenica ishte shpallur zonë e mbrojtur nga OKB-ja dhe ruhej kryesisht nga trupat holandeze, që nuk bënë rezistencë kur serbët e Bosnjës hynë në qytet dhe për më shumë se një javë masakruan të gjithë djemtë dhe burrat. Ndërkaq, në një mesazh të shpërndarë nga ambasada e SHBA-së në Sarajevë, Presidenti amerikan Barak Obama, dënoi çdo përpjekje për të mohuar gjenocidin e Srebrenicës dhe shprehu kënaqësinë e tij për faktin që dy përgjegjësit kryesorë të asaj masakre, Ratko Mlladiç e Radovan Karaxhiç, janë tashmë në duart e drejtësisë duke u gjykuar në Gjykatën e Hagës. “SHBA-ja është kundër të gjithë atyre që mendojnë se ajo që ndodhi më 11 korrik 1995 nuk është gjenocid. Ajo është një nga masakrat më të mëdha që ka tronditur botën”, tha Obama në një deklaratë të shpërndarë nga ambasada amerikanë në Sarajevë. Në ceremoninë përkujtimore, pavarësisht temperaturave afrikane, ishin të pranishëm më shumë se 30 mijë vetë. Shumë serbë mohojnë që masakra e vitit 1995 ishte gjenocid ashtu si drejtësia ndërkombëtare e ka cilësuar.


 


Masakra


Ishte 11 korriku i vitit 1995, kur 8 mijë burra dhe djem myslimanë u ekzekutuan nga forcat serbe. Kjo masakër është një ndër më fatkeqet në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore