Kur mbeten rreth 6 muaj nga nisja e topit të parë të “Botërorit 2026” janë ngritur dyshime serioze mbi sigurinë e turneut në një prej shteteve organizatore siç është Meksika.
Hetuesit kanë zbuluar 456 çanta që përmbajnë mbetje të trupave njerëzore në afërsi të një prej stadiumeve që do të presë sfidat e Kupës së Botës.
Grupet vullnetare të kërkimit që veprojnë pranë stadiumit “Akron” të Guadalajarës në shtetin Jalisco kanë bërë zbulimet drithëruese që nga fillimi i operacioneve në vitin 2022.
Mbetjet ishin të shpërndara në vende të shumta brenda 10 deri në 20 kilometrave nga impianti.
Koordinatori i kërkimit José Raúl Servin García tha për mediat se situata është “zemërthyese”, duke vënë në dukje zbulimet pranë stadiumit të ardhshëm të Kupës së Botës. Ai kritikoi autoritetet për minimizimin e problemeve të sigurisë dhe madje heqjen e posterave të personave të zhdukur për të shmangur alarmimin e turistëve dhe tifozëve të ardhshëm.
Mbetjet përfaqësojnë raste që shtrihen në disa vite, me disa viktima që besohet se kanë vdekur brenda vitit të kaluar, ndërsa të tjera mund të datojnë që nga viti 2018, 2020 dhe 2022. Gjetjet nxjerrin në pah sfidat e rënda të sigurisë së Meksikës, ndërsa ajo përgatitet të bashkë-organizojë turneun global të futbollit së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.
Stadiumi “Akron”, një nga krenaritë historike të futbollit në Meksikë, është planifikuar të presë disa ndeshje të Kupës së Botës mes shqetësimeve të vazhdueshme rreth dhunës së karteleve të drogës dhe statistikave tronditëse të personave të zhdukur në vend.
