Presidenti Donald Trump do të donte që stadiumi i ri Washington Commanders , aktualisht në ndërtim e sipër në Uashington D.C. dhe me vlerë gati 4 miliardë dollarë, të mbante emrin e tij.

Kështu raporton ESPN, duke cituar burime të njohura me çështjen, të cilat thonë se dëshira e presidentit i është komunikuar tashmë pronarit të ekipit të NFL-së, miliarderit Josh Harris.

Objekti i ri do të ndërtohet në vendin e stadiumit të vjetër Robert Kennedy, stadiumi historik që priti ekipin Commanders nga viti 1961 deri në vitin 1996.

“Do të ishte një emër i shkëlqyer, duke pasur parasysh se presidenti Trump e bëri të mundur rindërtimin”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Megjithatë, ky veprim mund të shkaktojë protesta, duke pasur parasysh se Uashingtoni është një nga qytetet më anti-Trump në vend. Një zëdhënës i kompanisë nuk pranoi të komentojë.

Ndërkohë, Trump pritet në stadium nesër për ndeshjen e Commanders kundër Detroit Lions, një rast që mund të ofrojë një pamje të parë të reagimit të turmës ndaj “Stadiumit Trump” të mundshëm.