Keir Starmer, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, deklaroi në Parlament se qeveria e tij “nuk beson në ndryshimin e regjimit nga qielli”, duke theksuar se Britania ka mësuar nga gabimet e luftës në Irak dhe se çdo veprim duhet të ketë bazë ligjore dhe plan të qëndrueshëm.

Ai tha se gjatë vitit të fundit Irani ka mbështetur mbi 20 sulme potencialisht vdekjeprurëse në territorin britanik, të cilat – sipas tij – janë parandaluar. Starmer nënvizoi se regjimit iranian nuk duhet t’i lejohet kurrë të pajiset me armë bërthamore, por shtoi se zgjidhja më e mirë është një marrëveshje e negociuar që do ta detyronte Iranin të hiqte dorë nga aspiratat bërthamore dhe nga aktivitetet destabilizuese në rajon.

Kryeministri konfirmoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar leje për përdorimin e bazave britanike për operacione mbrojtëse me qëllim ndalimin e raketave iraniane në burim. Ai tha se e ka pranuar këtë kërkesë për të parandaluar sulme ndaj civilëve, por theksoi qartë se Britania nuk po merr pjesë në sulme ofensive të SHBA-së dhe Izraelit.

Starmer pranoi se presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur mospajtim me qëndrimin fillestar britanik, por shtoi se detyra e tij është të mbrojë interesat kombëtare të Britanisë.

Ai bëri të ditur se avionë luftarakë britanikë janë ngritur në ajër si pjesë e operacioneve mbrojtëse të koordinuara dhe se është rrëzuar një dron që i drejtohej një baze me personel britanik. Sipas tij, një dron ka goditur edhe bazën RAF Akrotiri në Qipro, por ajo nuk po përdoret nga bombardues amerikanë.

Starmer paralajmëroi se situata është serioze, duke përmendur se rreth 300 mijë shtetas britanikë ndodhen në rajon dhe u ka bërë thirrje atyre të regjistrojnë praninë e tyre dhe të ndjekin këshillat zyrtare të udhëtimit.