Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule është shprehur i bindur se negociatat për anëtarësim në BE do të jenë prioritet edhe i Qeverisë së re të Serbisë, por se përparimi i marrëdhënieve me Kosovën do të jetë i domosdoshëm për hapjen e negociatave.
Këto komente komisionari për Zgjerim i bëri në intervistën për portalin ‘EurAktiv’, në të cilën ai e quajti “gabim të madh” ndaljen e procesit të zgjerimit, raporton ‘Koha Ditore’. Sipas asaj që transmetojnë mediat serbe, Fule shfaqi bindjen se Serbia do të shënojë përparim në marrëdhëniet me Kosovën dhe e quajti “problem fondamental i cili qëndron në rrugën e hapjes së negociatave”.
Fule rikujtoi një varg detyrash që duhet të përmbush Serbia, të shtruara nga Këshilli i Europës qysh në dhjetor të vitit 2011. Në konkluzionet e dhjetorit të Këshillit theksohet se Serbia duhet të vazhdojë dialogun dhe të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që të marrë datën e fillimit të negociatave.
Fule, në këtë intervistë, po ashtu është shprehur optimist rreth perspektivës europiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht për Kroacinë e Malin e Zi, të cilat kanë bërë më shumë përparim.
14 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)