Berlini po ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit të Moskës në Ukrainë, në vendet baltike dhe në mbarë Evropën, teksa tensionet me Rusinë po rriten ndjeshëm.
Presidenti rus Vladimir Putin po zhvillon një “luftë hibride” kundër Gjermanisë, deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz në një intervistë për rrjetin N-TV.
“Putin po zhvillon një luftë informacioni kundër nesh dhe një luftë ushtarake kundër Ukrainës. Kjo luftë është drejtuar kundër të gjithëve ne,” tha Merz, duke theksuar se synimi i Kremlinit është “të përmbysë rendin politik në Evropë”.
Sipas tij, për këtë arsye Gjermania duhet të vazhdojë pa hezitim mbështetjen ndaj Ukrainës.
“Putini po na vë në provë”
Në një tjetër intervistë për rrjetin ARD, kancelari gjerman aludoi se Moska mund të qëndrojë pas sulmeve me dronë në Evropë.
“E dimë që Putini dëshiron të na testojë,” tha Merz, duke shtuar se forcat e armatosura gjermane duhet të jenë të gatshme të rrëzojnë dronë nëse është e nevojshme.
Ai theksoi se Rusia po përpiqet të shkatërrojë rendin e pasluftës dhe se Evropa duhet të mbrohet me çdo mjet të mundshëm. Ndihma për Ukrainën, sipas tij, është mënyra më e mirë për të parandaluar një agresion rus ndaj vendeve të tjera, si Moldavia apo vendet baltike.
Ambasadori ukrainas: “Lufta po afrohet në Gjermani”
Në një intervistë për gazetën Münchner Merkur, ambasadori i Ukrainës në Berlin, Oleksiy Makeyev, u shpreh se kërcënimi rus është tashmë i prekshëm edhe në Gjermani.
“E urrej fjalën ‘përshkallëzim’. Çfarë tjetër duhet të bëjë Putini? Ndonjëherë ai bombardon vendin tim me 800 dronë dhe 40 raketa në ditë – është e pabesueshme,” tha diplomati.
Makeyev vlerësoi deklaratat e kancelarit Merz, i cili tha se “Gjermania nuk është më në paqe”:
“Kancelari ka të drejtë. Lufta po afrohet ngadalë, por me siguri, drejt Gjermanisë,” paralajmëroi ai.
Eksperti gjerman: “Vendi nuk është gati për një krizë të madhe”
Në të njëjtën linjë alarmi, eksperti i sigurisë Ferdinand Goeringer, nga Fondacioni Konrad Adenauer, në një intervistë për radion bavareze dhe në librin e tij “Gjermania në gjendje të jashtëzakonshme”, paralajmëron se vendi nuk është i përgatitur për një situatë lufte.
Sipas tij, në një skenar hipotetik konflikti:
- deri në 800,000 ushtarë të NATO-s mund të lëvizin nëpër territorin gjerman;
- trenat do të devijohen për transport ushtarak;
- mjekët do të dërgohen në kufirin lindor;
- ndërsa industria tekstile do të rikthehej në prodhimin e jelekëve antiplumb.
Ai paralajmëron gjithashtu për ndërprerje të energjisë 48–72 orëshe, vështirësi në transport dhe mobilizime emergjente të stafit civil sipas nevojave të shtetit.
“Incidentet e fundit me dronë dhe sabotime tregojnë se nuk jetojmë më në paqe të plotë,” tha Goeringer, duke shtuar se “Rusia po e teston qëndrueshmërinë tonë”.
Eksperti apeloi për përgatitje individuale në çdo familje: furnizime ushqimore për 3–10 ditë, mjete komunikimi si radio me bateri, bankë energjie dhe plan emergjence për çdo shtëpi.
“Kjo do t’i ndihmonte autoritetet dhe do të forconte rezistencën e përgjithshme të shoqërisë,” përfundoi ai.