Qindra qytetarë kanë dalë në rrugët e Beogradit për të festuar pas deklaratës së presidentit Aleksandar Vuçiç se Lista Studentore ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.

Në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit janë ndezur flakadanë, ndërsa brohoritjet dhe boritë e automjeteve kanë shoqëruar atmosferën festive.

Festime janë raportuar edhe në shtabin e Listës Studentore “Studentët fitojnë”, ku kandidatët dhe mbështetësit janë mbledhur për të ndjekur rezultatet e votimit. Të pranishmit kanë kënduar dhe brohoritur “Fitore”, ndërsa pritet përfundimi i numërimit dhe konfirmimi zyrtar i rezultateve.

Ndërkohë, nga kampi i njohur si “Çacilend”, ku personat e pranishëm janë kryesisht të veshur me të zeza, kanë nisur largimet nga hapësira e rrethuar.

Më herët, presidenti Aleksandar Vuçiç pranoi se, sipas vlerësimeve paraprake, forca e tij politike ka humbur zgjedhjet. Ai deklaroi se Lista Studentore pritet të sigurojë nga 135 deri në 140 vende në Parlamentin me 250 deputetë, ndërsa forca e tij politike rreth 105 mandate.

Megjithatë, rezultatet zyrtare përfundimtare nuk janë shpallur ende dhe numërimi i votave vijon.