Vaksina aktuale kundër herpesit zoster (Shingrix) mund të jetë një armë e fuqishme jo vetëm kundër kësaj sëmundjeje nervore, por edhe për mbrojtjen e zemrës dhe trurit.

Një studim i ri i udhëhequr nga Universiteti i Oksfordit dhe i publikuar në revistën prestigjoze Nature Medicine, ka zbuluar se kjo vaksinë ul rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru, duke pasur potencialin të parandalojë qindra mijëra vdekje çdo vit në mbarë botën.

Dr Maxime Taquet, një lektor klinik në Universitetin e Oksfordit, i cili udhëhoqi studimin, tha se: “Nëse konfirmohet në provat klinike, vaksinimi i të rriturve të moshuar kundër herpesit mund të parandalojë qindra mijëra sëmundje koronare të zemrës, goditje në tru dhe raste të dështimit të zemrës në të gjithë botën, duke e bërë atë një nga ndërhyrjet më me ndikim që mund të ofrojmë për të mbrojtur si trurin ashtu edhe zemrën në jetën e mëvonshme. Efekti mund të jetë i jashtëzakonshëm.”

Hulumtimi analizoi të dhënat shëndetësore të 70,000 personave mbi moshën 60 vjeç në SHBA.

Rezultatet treguan se ata që morën vaksinën Shingrix patën një rrezik 12% më të ulët të diagnozave kardiovaskulare në tre vitet e gjysmë pasardhëse.