Një stuhi e fuqishme ka goditur qytetin Tupanciretá, në jug të Brazilit, duke shkaktuar të paktën 5 viktima dhe 265 të plagosur. Fenomeni ekstrem meteorologjik ka lënë pas dëme të mëdha materiale, ndërsa mijëra familje kanë mbetur pa strehim, energji elektrike dhe ujë.
Stuhia goditi zonën mbrëmjen e së premtes, në shtetin Rio Grande do Sul, me erëra që arritën shpejtësinë deri në 114 kilometra në orë. Sipas autoriteteve lokale, pasojat janë shkatërruese: nga rreth 8,600 banesa që ndodhen në qytet, afro 8,000 kanë pësuar dëmtime. Brenda më pak se një ore, erërat e forta shkulën çatitë e banesave, shembën mure, rrëzuan pemë dhe shtylla elektrike.
Për shkak të dëmeve të shkaktuara në rrjetin energjetik dhe furnizimin me ujë, zona mbeti pa shërbimet bazë. Pothuajse të gjithë banorët u detyruan të largoheshin nga banesat e tyre, ndërsa rreth 40 persona u strehuan përkohësisht në qendra publike, sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile të Rio Grande do Sul.
Shpallet gjendja e katastrofës, mobilizohen forcat ushtarake
Përballë situatës së rëndë, qeveria federale e Brazilit shpalli zonën në gjendje katastrofe, duke u krijuar mundësinë institucioneve shtetërore të vënë në dispozicion burime dhe ndihma për banorët e prekur
Rreth 200 efektivë ushtarakë janë angazhuar në terren për largimin e mbeturinave, pastrimin e rrugëve dhe përballimin e pasojave të stuhisë. Gjithashtu, një ekip mjekësor është ngarkuar të vlerësojë gjendjen e sistemit shëndetësor lokal, pasi edhe spitali i qytetit Tupanciretá ka pësuar dëmtime nga fenomeni ekstrem.
Dyshime për një fenomen që mund të paraprijë tornadot
Mbrojtja Civile e ka përshkruar stuhinë si një fenomen meteorologjik të tipit “superqelizor”, i njohur për fuqinë e lartë dhe rrezikun që mund të shoqërohet me formimin e tornadove. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e zhvillimit të fenomeneve të tjera të rrezikshme atmosferike.
Ndërkohë, Brazili regjistroi gjatë vitit 2025 një rekord prej 92 tornadosh dhe fenomenesh të ngjashme, sipas rrjetit meteorologjik Prevots, i cili bashkëpunon me universitete dhe institute kërkimore. Situata në Tupanciretá mbetet shqetësuese, ndërsa autoritetet vijojnë punën për vlerësimin e dëmeve dhe rikthimin e shërbimeve jetike për banorët.
