Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje masive në ishullin grek të Rodosit, ku rrjedhat e fuqishme të ujit kanë marrë përpara dhjetëra automjete, duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa, biznese dhe infrastrukturë.

Pamjet e regjistruara nga kamerat amatore tregojnë momentet dramatike kur makinat tërhiqen nga ujërat e rrëmbyera në rrugët e ishullit, i cili është ndër zonat më të prekura nga stuhia “Agneta”. Përveç Rodosit, moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në Samos, Kalymnos dhe në disa zona të Greqisë qendrore.

Situata më kritike është regjistruar në Arhangelos, në pjesën lindore të Rodosit, ku pas rreth 17 orësh reshjesh të pandërprera, lumi doli nga shtrati gjatë natës, duke përmbytur zona të tëra. Sipas të dhënave paraprake, të paktën 60 automjete janë marrë nga rrjedha e ujit ose kanë pësuar dëmtime, ndërsa dhjetëra banesa dhe biznese janë pushtuar nga përmbytjet.

Për shkak të rrezikut të lartë, disa banorë janë detyruar të kërkojnë shpëtim duke u ngjitur në çatitë e shtëpive të tyre. Ekipet zjarrfikëse kanë zhvilluar dhjetëra operacione për nxjerrjen e personave të bllokuar nga ujërat.

Autoritetet greke kanë dërguar disa njoftime emergjente përmes sistemit 112, duke u bërë thirrje banorëve dhe turistëve të shmangin lëvizjet, përveç rasteve të domosdoshme. Ndërkohë, mësimi është pezulluar në shkollat e zonave më të prekura, ndërsa qarkullimi i automjeteve është ndërprerë në disa akse rrugore, përfshirë edhe në jug të ishullit.

Pavarësisht dëmeve të shkaktuara, situata mbetet shqetësuese, pasi sinoptikanët paralajmërojnë se stuhia “Agneta” do të vijojë të godasë Greqinë. Reshje të dendura dhe stuhi priten sërish gjatë pasdites dhe natës në Dodekanez, ndërsa sistemi atmosferik do të zhvendoset drejt ishujve të Jonit dhe Greqisë perëndimore.

Të martën, moti i keq pritet të përfshijë edhe Maqedoninë Qendrore dhe Lindore, Trakën, si dhe ishujt e Egjeut Verior dhe Lindor.

Kjo situatë rikthen shqetësimin për zonën e Rodosit, e cila vetëm tre javë më parë u godit nga një tjetër stuhi e fuqishme me përmbytje, ku humbi jetën një 62-vjeçar.