Kremlini i përshkroi sot si “absurde” deklaratat e Suedisë se droni që u kap nga forcat suedeze pranë aeroplanmbajtëses franceze Charles de Gaulle, e cila është e ankoruar në Malmo, ndoshta ishte me origjinë ruse.
“Nëse citoni saktë deklaratat e autoriteteve suedeze se droni është rus vetëm sepse kishte një anije ruse afër, atëherë kjo deklaratë është absolutisht absurde”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, duke vënë gjithashtu në dukje se ai “nuk i di detajet” e këtij incidenti.
Droni në fjalë u zbulua dhe u kap të mërkurën nga një anije luftarake suedeze që patrullonte rreth 13 kilometra nga Charles de Gaulle në ngushticën Öresund, pranë qytetit të Malmö në Suedinë jugore, ku aeroplanmbajtësja franceze është e ankoruar në një ndalesë para se të marrë pjesë në ushtrimet e NATO-s.
Droni “ndoshta erdhi nga Rusia, duke pasur parasysh se në kohën e incidentit ndodhej një anije luftarake ruse”, tha ministri suedez i Mbrojtjes, Poul Jönsson, për SVT të enjten, duke shtuar se “është e mundur që të ketë pasur një shkelje të hapësirës ajrore suedeze”.
Vendet evropiane janë shqetësuar vazhdimisht nga fluturimet e dronëve që janë vërejtur mbi ose pranë vendeve të ndjeshme, siç janë instalimet ushtarake ose aeroportet, me disa zyrtarë politikë që dënojnë operacionet ruse të luftës hibride.
