Suedia ka paralajmëruar për rrezikun e ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet e ardhshme në disa prej demokracive më të rëndësishme europiane, përmes rrjeteve të llogarive të rreme dhe fushatave të dezinformimit.
Paralajmërimi është bërë nga Magnus Hjort, drejtori i Agjencisë Suedeze për Mbrojtjen Psikologjike, i cili në një intervistë për “Politico” tha se Kremlini i sheh proceset zgjedhore si mundësi për të nxitur përçarje dhe polarizim në shoqëritë europiane.
Sipas Hjort, një prej synimeve kryesore është krijimi i dyshimeve te qytetarët lidhur me vazhdimin e ndihmës financiare dhe ushtarake për Ukrainën, përmes përhapjes së pretendimeve të rreme për korrupsion dhe abuzime.
Autoritetet suedeze vlerësojnë se Moska nuk është e përqendruar te zgjedhjet parlamentare që zhvillohen këtë fundjavë në Suedi, për shkak të konsensusit të gjerë politik në vend për mbështetjen ndaj Ukrainës. Në fokus, sipas tyre, janë më shumë Gjermania dhe Franca.
Në Gjermani janë evidentuar më herët përpjekje për ndërhyrje ruse, përfshirë shpërndarjen e materialeve të rreme në rrjetet sociale, ku kandidatë janë akuzuar pa bazë për korrupsion dhe krime seksuale. Ndërsa në Francë, autoritetet po ndjekin me vëmendje situatën përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Hjort ka kritikuar platformat Meta, TikTok dhe X, duke pretenduar se ato nuk po bëjnë mjaftueshëm për të çmontuar rrjetet e automatizuara që shpërndajnë dezinformim të huaj.
Sipas tij, Agjencia Suedeze për Mbrojtjen Psikologjike ka identifikuar vazhdimisht fushata të manipulimit të informacionit nga Rusia, Kina dhe Irani. Një prej operacioneve të fundit ruse përdor metodën e njohur si “Matrjoshka”, e cila synon të angazhojë gazetarët dhe verifikuesit e fakteve me materiale të rreme.
Një tjetër rast i evidentuar është një rrjet prej rreth 1,200 botësh në platformën X, që dyshohet se kontrollohej nga një aktor shtetëror. Llogaritë fillimisht publikonin përmbajtje të zakonshme për sportin dhe pushimet, por më pas nisën të shpërndanin mesazhe polarizuese për çështje politike. Sipas Hjort, gjatë viteve 2025 dhe 2026 ky rrjet publikoi rreth 50 mijë postime dhe komente.
Megjithatë, autoritetet suedeze nuk kanë konstatuar aktualisht një fushatë të koordinuar kundër zgjedhjeve të kësaj fundjave në Suedi. Hjort paralajmëroi se një rrezik tjetër është që frika nga ndërhyrjet e huaja të përdoret më vonë për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e procesit zgjedhor.
