Forcat ushtarake amerikane kanë kryer një sulm ajror ndaj një anijeje kontrabandiste droge në Karaibet Jugore, duke e shkatërruar plotësisht atë. Sipas autoriteteve, anija i përkiste bandës venezueliane “Tren de Aragua”, e cila tashmë është shpallur organizatë terroriste e mbështetur nga regjimi i Nicolas Maduro-s.
Presidenti amerikan Donald Trump, konfirmoi personalisht operacionin nga Zyra Ovale. “Gjatë pak minutave të fundit, ne qëlluam një anije që transportonte sasi të mëdha droge. Do ta shihni vetë, ndodhi pak çaste më parë. Gjenerali ynë dhe kreu i Shtabit të Përbashkët ka bërë një punë të jashtëzakonshme, ashtu si edhe në operacionet kundër kërcënimeve bërthamore në Iran”, deklaroi Trump.
Nga sulmi, sipas burimeve zyrtare, u vranë 11 persona që ndodheshin në bord. Pamjet e publikuara tregojnë momentin dramatik kur anija goditet nga një raketë kinetike dhe shpërthen në flakë.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, reagoi menjëherë në rrjetin social X, duke thënë se ushtria amerikane “kreu një sulm vdekjeprurës kundër një anijeje droge të nisur nga Venezuela, e operuar nga një organizatë narko-terroriste e shpallur tashmë kërcënim për sigurinë e Shteteve të Bashkuara”.
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes theksoi se ky ishte një “sulm preciz” dhe se detaje të tjera do të bëhen publike në vijim.

Operacioni vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Karakasit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar ndjeshëm. Trump ka akuzuar presidentin Nicolas Maduro për “krime të rënda kundër njerëzimit, trafik droge dhe dhunë të organizuar”, ndërsa Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar bandën “Tren de Aragua” si një rrjet kriminal që ka tentuar të infiltrahet ilegalisht në SHBA dhe të kryejë veprime armiqësore kundër saj.
