Të paktën 18 persona janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror rus në fshatin Komyshuvakha, në rajonin e Zaporizhzhias, në jug të Ukrainës. Viktimat ishin banorë që kishin shkuar për të marrë ndihma humanitare.
Sipas autoriteteve ukrainase, zona u godit nga nëntë bomba ajrore, ndërsa 27 persona rezultojnë ende të zhdukur. Ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet nën rrënoja, ndërsa ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cilësoi sulmin si “absolutisht të tmerrshëm”, duke theksuar se Rusia e dinte se në shkollën lokale shpërndahej ndihmë humanitare për banorët çdo javë.
Sipas tij, pas goditjes së parë ndaj shkollës, e cila përdorej për nevoja humanitare, u regjistrua edhe një sulm i dytë në zonën ku njerëzit po strehoheshin.
“Rusët nuk mund të mos e dinin se banorët vendas që kanë mbetur në Komyshuvakha merrnin ndihmë humanitare atje çdo javë”, deklaroi Zelensky.
Kreu i shtetit ukrainas shtoi se ky sulm tregon se Moska nuk ka ndërmend të ulë tensionet dhe të angazhohet për paqe.
Ndërkohë, kreu i administratës rajonale, Mykhailo Semikin, konfirmoi se ekipet e emergjencës ndodhen në terren dhe po punojnë për nxjerrjen e personave të mbetur nën rrënoja.
Deri më tani, ushtria ruse nuk ka bërë një koment publik lidhur me bombardimet.
