Një sulm me armë brenda një banese ka lënë pas 11 viktima dhe tre të plagosur në provincën KwaZulu-Natal, në Afrikën e Jugut. Ngjarja e rëndë është regjistruar në zonën e Durbanit, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e personave që hapën zjarr.

Sipas kryeministrit të provincës, Thamshanka Nduli, në momentin e sulmit brenda shtëpisë ndodheshin 14 persona. Pak përpara orës 23:00, disa persona të armatosur dyshohet se kanë hyrë me forcë në banesë dhe kanë qëlluar ndaj të pranishmëve.

Bilanci ka qenë tragjik. Dhjetë persona humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër, pavarësisht se u transportua për ndihmë mjekësore, ndërroi jetë më vonë në spital. Mes personave të vrarë ndodhet edhe një grua shtatzënë.

Tre të mbijetuar nga sulmi kanë marrë plagë dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi gjendjen e tyre.

Forcat e policisë kanë nisur një hetim për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes, për të përcaktuar motivin dhe për të rënë në gjurmët e autorëve, të cilët nuk janë identifikuar ende.

Një prej pistave që po shqyrtohet lidhet me të kaluarën e disa prej personave që ndodheshin në banesë. Autoritetet kanë bërë të ditur se disa nga viktimat kishin qenë objekt hetimesh për përfshirje të dyshuar në veprimtari të paligjshme. Për shkak të hetimeve në zhvillim, nuk janë publikuar hollësi të tjera mbi këto dyshime.

Ende nuk ka një përfundim zyrtar mbi atë që shkaktoi sulmin. Mes skenarëve që po verifikohen është edhe mundësia e një përplasjeje mes grupeve rivale, por deri tani kjo pistë nuk është konfirmuar nga hetuesit.