Një tjetër incident është regjistruar në Ngushticën e Hormuzit, ku një anije është goditur nga një predhë e paidentifikuar pranë brigjeve të Omanit. Sipas shërbimit britanik të sigurisë detare UKMTO, ngjarja ndodhi rreth 9 milje detare në verilindje të Limës.
Nga raportimet paraprake bëhet me dije se goditja ka shkaktuar dëmtime në anën e djathtë të anijes, ndërsa kapiteni ka konfirmuar se i gjithë ekuipazhi është jashtë rrezikut. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar apo ndotje mjedisore.
Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të shtuara në rajon, ku Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për transportin global të naftës dhe gazit. Që prej përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, anijet që kalojnë në këtë korridor detar janë përballur me kërcënime dhe sulme të përsëritura.
Ndërkohë, në një zhvillim paralel, Irani ka deklaruar se është i gatshëm të përshpejtojë planin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda dy ditësh, nëse Shtetet e Bashkuara pranojnë kërkesat e Teheranit. Bisedimet përmes ndërmjetësuesve vijojnë, ndërsa situata e sigurisë në rajon mbetet e tensionuar.
