Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në SHBA kanë zbuluar një ndërhyrje kibernetike në sistemet e tyre, përmes së cilës janë ekspozuar disa informacione të paklasifikuara. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta amerikane “The New York Times”, duke iu referuar zyrtarëve amerikanë dhe personave të njohur me çështjen.

Sipas raportimeve ndërhyrja ka prekur një sistem të analizës së inteligjencës me burime të hapura, një rrjet kompjuterik që përdoret për të identifikuar informacione me vlerë për inteligjencën përmes materialeve publike dhe të paklasifikuara.

Nuk ishte e qartë konkretisht se çfarë informacioni ishte kompromentuar, por materiali i klasifikuar nuk ishte i rrezikuar, thanë burimet. Sipas dy personave, besohet se gjatë shkeljes së të dhënave është ekspozuar edhe informacioni në agjenci të tjera qeveritare.

Sistemet e inteligjencës me burime të hapura përdorin një sasi të madhe të dhënash, përfshirë informacione të disponueshme në treg, përmbajtje nga rrjetet sociale, imazhe satelitore dhe materiale të tjera në internet.

Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e këtyre të dhënave është publike, disa prej tyre sigurohen përmes kompanive që ofrojnë informacione kundrejt pagesës. Kur kombinohen me burime të tjera, këto të dhëna mund të zbulojnë informacione të rëndësishme dhe mjaft të detajuara.

Agjencitë e spiunazhit mund t’i përdorin gjithashtu të dhënat së bashku me burime të tjera të inteligjencës për të informuar gjykimet analitike. Një zyrtar i Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare deklaroi se incidenti nuk ka shkaktuar ndërprerje të kapaciteteve kritike, ndërsa CIA nuk pranoi të komentojë.

Ky episod vjen në një periudhë kur disa institucione amerikane kanë raportuar probleme dhe ndërhyrje në sistemet e tyre teknologjike. Javën e kaluar, Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) pati një ndërprerje disa ditore të rrjetit të saj të brendshëm të klasifikuar. Sipas zyrtarëve dhe bizneseve të përfshira, problemi nuk ishte shkaktuar nga sulme kibernetike.

Po gjatë javës së kaluar, u raportua edhe për një ndërhyrje në Qendrën Kombëtare të Informacionit të Krimeve të FBI-së, një bazë të dhënash në nivel kombëtar që përdoret nga institucionet lokale, shtetërore dhe federale të zbatimit të ligjit për shkëmbimin e informacioneve mbi personat e dyshuar për vepra penale.

Ndërkohë, edhe Departamenti Amerikan i Bujqësisë zbuloi një incident të sigurisë kibernetike, i cili detyroi institucionin të çaktivizonte përkohësisht disa aplikacione të brendshme. Lajmi u raportua fillimisht nga Nextgov, një platformë që mbulon zhvillimet teknologjike në institucionet federale amerikane.