Drejtoria e Hetimit Anti-Mafia e Ministrisë së Brendshme Italiane është përballur me një sulm kibernetik. Mediat italiane kanë raportuar për vjedhjen e mundshme të të dhënave konfidenciale, të cilat mund të lidhen me hetimet kundër krimit të organizuar.
Dia ka raportuar se hakerat nuk arritën të hiqnin të dhëna të ndjeshme, por vetëm kopjuan informacione dhe tekste që ishin postuar në faqen e internetit të shërbimit specifik të Ministrisë së Brendshme italiane.
Ky incident i fundit, sipas informacioneve, mund të lidhet me një përpjekje për të marrë informacione sekrete, në prag të takimit të krerëve të forcave policore evropiane, i cili është planifikuar për ditët në vijim.
Ndërkohë, hetimi antiterrorizëm vazhdon në prokurorinë e Romës, me qëllim përcaktimin se kush qëndron pas sulmeve hibride të javës së kaluar, të cilat shkaktuan probleme në trafikun ajror dhe në rrjetet e supermarketeve në shumë vende evropiane.
