Një sulm i madh kibernetik ka prekur tre aeroporte të rëndësishme në Britani, duke ekspozuar të dhënat personale të rreth 8.7 milionë klientëve.

Grupi i Aeroporteve të Mançesterit (MAG), që administron aeroportet e Mançesterit, London Stansted dhe East Midlands, konfirmoi se hakerët kanë siguruar akses në të dhëna të klientëve.

Mes informacioneve të komprometuara janë adresat e emailit, numrat e telefonit, numrat e regjistrimit të automjeteve dhe kodet postare.

Sulmi lidhet me shërbime të ndryshme të aeroporteve, përfshirë rezervimet e parkimit, sallonet VIP, shërbimin Fast Track dhe regjistrimet e rrjeteve Wi-Fi në terminale.

Megjithatë, MAG theksoi se incidenti nuk ka ndikuar në fluturime apo në funksionimin normal të aeroporteve. Sipas kompanisë, as siguria e pasagjerëve dhe as siguria e operacioneve ajrore nuk janë komprometuar.

Sulmi ndodhi gjatë fundjavës, ndërsa grupi menaxhues u informua për incidentin vetëm të martën. MAG tha se ka ndërmarrë menjëherë masa për kufizimin e dëmit dhe ka angazhuar specialistë të sigurisë kibernetike.

Kompania sqaroi gjithashtu se të dhënat bankare dhe informacionet e pagesave nuk janë prekur nga sulmi.

Deri tani, nuk është bërë i ditur identiteti i personave përgjegjës. MAG e ka përshkruar autorin si një “palë të tretë të paautorizuar”, ndërsa hetimet për incidentin vijojnë.