Të paktën 50 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur pas sulmeve me raketa ndaj një kampi ushtarak në Jemenin qendror, të cilat u atribuohen rebelëve Huthi. Disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike, ndërsa spitalet po përballen me fluks të madh pacientësh.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, sulmi goditi një kamp të forcave të armatosura jemenase, duke shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të konsiderueshme. Bilanci i të vdekurve është rritur, ndërsa ekipet mjekësore po përpiqen të ofrojnë ndihmë për të plagosurit. Nga të dhënat e bëra publike nga autoritetet lokale, mbi 100 persona kanë mbetur të plagosur, një pjesë e të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.
Situata në spitalet e zonës paraqitet e vështirë për shkak të numrit të madh të të plagosurve, ndërsa frika është se bilanci i viktimave mund të rritet më tej. Sulmi përbën një tjetër përshkallëzim të dhunës në Jemen, vend që prej vitesh përballet me konflikt të armatosur dhe një krizë të rëndë humanitare. Rebelët Huthi kontrollojnë pjesë të mëdha të vendit dhe janë përfshirë në luftime të vazhdueshme me forcat qeveritare. Rrethanat e plota të sulmit dhe bilanci përfundimtar i viktimave mbeten për t’u konfirmuar.
