Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Halle të Gjermanisë, ku tre persona, përfshirë një vajzë 11-vjeçare, janë plagosur gjatë një përleshjeje me thikë para një ndërtese banimi. Viktima më e rëndë është një 29-vjeçar, ndërsa një burrë 47-vjeç dhe vajza e tij kanë marrë lëndime më të lehta.
Sipas policisë, incidenti shpërtheu pas një konflikti të ashpër mes fqinjëve, që dyshohet të ketë nisur për shkak të zhurmës së fëmijëve. Në vendngjarje është arrestuar një 46-vjeçar me origjinë nga Kosova, i cili u mor në pyetje si i dyshuar për sulmin.
Autoritetet gjermane theksojnë se i dyshuari ka bashkëpunuar plotësisht me hetuesit dhe madje ka lajmëruar vetë ambulancën pas përleshjes. Prokuroria ka vendosur të mos ngrejë akuza për tentativë vrasje, pasi nuk ka gjetur prova të mjaftueshme dhe ngjarja duket se është rezultat i vetëmbrojtjes.
Një thikë është sekuestruar si provë dhe hetimet për lëndim të rëndë trupor janë ende në zhvillim. Dëshmitarët e ngjarjes do të pyeten në ditët në vijim për të sqaruar rrethanat e sakta.
Sipas autoriteteve, i dyshuari jeton në Gjermani prej vitesh, është i integruar mirë në shoqëri dhe ka një status të rregullt ligjor.