Një sulm me thikë ka tronditur sot Austrinë, duke i marrë jetën një të mituri. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në qytetin Villach, pranë kufirit me Italinë dhe Slloveninë, ku i vdekur ka mbetur një 14-vjeçar, teksa janë plagosur pesë persona të tjerë. Dy nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.
Policia arrestoi në vendngjarje të dyshuarin, një 23-vjeçar sirian, azilkërkues me leje qëndrimi të përkohshme. Deri më tani, motivi i sulmit mbetet i paqartë, por autoritetet kanë përfshirë specialistë të ekstremizmit në hetim.
Një punonjës i dërgesave, gjithashtu me origjinë siriane, ndihmoi në ndalimin e sulmuesit duke e përplasur me makinën e tij. Policia e arrestoi menjëherë agresorin, teksa fillimisht u raportua për një sulmues të dytë, duke çuar në mbylljen e përkohshme të transportit hekurudhor, por policia konfirmoi se bëhej fjalë për vetëm një autor.
Ngjarja ka ndezur debatet politike në Austri mbi politikat e azilit. Kreu i ekstremit të djathtë, Herbet Kickl, kërkoi masa më të ashpra për azilkërkuesit, ndërsa guvernatori rajonal Peter Kaiser dënoi aktin, por paralajmëroi kundër përhapjes së urrejtjes. Sulmi vjen në një moment të tensionuar politik, me vendin ende në pasiguri për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të fundit.


