Lufta


I dërguari i ri i OKB-së fillon punë dhe e konsideron paqen “mision gati të pamundur”


Dhuna vijoi me intensitet të lartë në Siri gjatë ditës së hënë dhe aktivistët raportuan se një sulm ajror mbi qytetin e Alepos vrau 25 njerëz, njofton BBC. Ndërkohë, një bombë tjetër shpërtheu në një lagje të Damaskut.


I dërguari i ri i OKB-së për paqen nisi punën dje, por që në fillim, Lakhdar Brahimi deklaroi se e konsideronte misionin e tij “pothuajse të pamundur”. Ai pritet të vizitojë Sirinë dhe të takohet me Presidentin Bashar al-Assad.


Në Alepo, aktivistët e të drejtave të njeriut thanë se shumë gra dhe fëmijë qenë mes 25 viktimave të sulmit të fundit. Zona Al-Bab, ku u krye sulmi, duket se është përgjithësisht nën kontrollin e rebelëve dhe është bombarduar ashpër nga forcat qeveritare.


Regjimi i Sirisë ka përdorur gjithnjë e më shumë arsenalin e vet ajror, duke përfshirë helikopterët dhe avionët, në mbështetje të forcave të veta tokësore. Pavarësisht avantazhit në armatime dhe njerëz, qeveria duket shumë larg mundësisë së fitores së përplasjes që po kthehet në një luftë civile lodhjeje, por edhe rebelët nuk duket se janë pranë fitores. Të dyja palët duket se po punojnë me strategji që synojnë ta lodhin kundërshtarin më shumë sesa ta mposhtin atë.


Lakhdar Brahimi, i dërguari i ri i OKB-së është një diplomat me eksperiencë, i njohur veçanërisht për bisedimet që i dhanë fund luftës civile në Liban më 1989. Politika e tij është që të bindë palët se nga konflikti nuk do të dalë asnjë fitimtar dhe asnjë humbës. Ai është njohës i thellë i Lindjes së Mesme dhe disponon kontakte të shumta diplomatike në rajon. Plani i tij i parë është që të themelojë një zyrë në Damask dhe nëse kjo nuk është e mundur, pritet t’i drejtojë bisedimet nga Kajro.


Brahimi u emërua i dërguari i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe për bisedimet në Siri, pasi paraardhësi i tij, Kofi Annan, dha dorëheqjen duke argumentuar se nuk shihte asnjë mundësi për sukses.


“E kam marrë këtë punë me sy të hapur dhe pa iluzione”, tha Brahimi për BBC. “E di se është shumë e vështirë, nuk mund të them, e pamundur, por është pothuajse e pamundur”, shtoi ai.


Brahimi tha se nuk shikonte asnjë të çarë në murin që solli disfatën për Annan. Qeveria siriane duket e palëkundur, rebelët kanë shtuar aktivitetin dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së gjendet i paralizuar me Rusinë dhe Kinën të gatshme për të vendosur veton për çfarëdolloj rezolute që mund të vendosë nën presion Damaskun.