Konflikti


Rusia thotë se mbështet qëndrimin e Islamabadit lidhur me sulmet e avionëve amerikanë pa pilot ndaj të dyshuarve si militantë në kufirin e Pakistanit, duke i quajtur ato një shkelje të sovranitetit të vendit.


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u tha gazetarëve në Islamabad dje, se Moska beson se askush nuk ka të drejtë që të shkelë sovranitetin e një vendi tjetër. Ai foli në një konferencë shtypi me homologen e tij pakistaneze.


Sulmet e avionëve të telekomanduar amerikanë në kufirin me Pakistanin kanë mbetur burim tensionesh mes Uashingtonit dhe Islamabadit për vite me radhë. Publikisht, qeveria e Pakistanit i dënon sulmet dhe i kërkon Uashingtonit t’u japë pajisje teknologjike më të mira për përdorim. Gjithsesi zyrtarë amerikanë dhe ekspertë të rajonit thonë se Islamabadi e mbështet Uashingtonin në mënyrë jo publike, duke e ndihmuar për zbulimin dhe gjetjen e të kërkuarve.


Publikisht Pakistani ka protestuar ndaj sulmeve, pasi, sipas tij, gjatë tyre janë vrarë edhe civilë. Numri i sulmeve me avionë të telekomanduar në kufirin e Pakistanit është shtuar që kur Presidenti Obama mori detyrën në vitin 2008.