Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino Lopez, ka deklaruar se vendi i tij do t’u rezistojë trupave të huaja, pas sulmeve të raportuara të forcave amerikane në Karakas.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Padrino Lopez akuzoi Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje ushtarake, duke thënë se sulmet kanë nisur në orët e para të mëngjesit dhe kanë prekur zona të banuara.
Ai shtoi se autoritetet venezueliane po mbledhin informacion për numrin e viktimave dhe të plagosurve si pasojë e sulmeve.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi më herët se Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është “kapur dhe larguar nga vendi” nga njësia elitare amerikane “Delta Force”.
Situata në Venezuelë mbetet e tensionuar, ndërsa pritet reagimi i mëtejshëm i autoriteteve dhe komunitetit ndërkombëtar.
