Tre persona janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite gjatë natës në jug dhe lindje të Libanit, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Një person u vra dhe 15 të tjerë u plagosën pas një sulmi në qytetin Ramadiyah, në distriktin jugor të Tyres. Dy persona të tjerë u vranë në rajonin e Nabatiehut. Sipas ministrisë, në total u goditën pesë zona në Nabatieh, Tyre dhe në rajonin lindor të Bekaa-s.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se sulmet kishin në shënjestër infrastrukturën e Hezbollahut në Libanin jugor.
Sipas ushtrisë izraelite, operacioni u krye në përgjigje të një sulmi të tentuar të Hezbollahut ndaj trupave izraelite një ditë më parë, gjatë të cilit një dron u lëshua drejt forcave të IDF-së që vepronin në zonën e sigurisë.
Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur gjithashtu depo armësh të përdorura nga Hezbollahu, grupi militant i mbështetur nga Irani. Forca e Mbrojtjes së Izraelit publikoi edhe pamje video që, sipas saj, tregojnë një prej sulmeve.
Kryeministri izraelit ,Benjamin Netanyahu deklaroi të premten se operacionet ushtarake për të penguar atë që ai e cilësoi si terrorizëm po vazhdonin me forcë të plotë në Liban, Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Izraeli dhe Hezbollahu janë përfshirë në konflikt që prej marsit, kur grupi nisi sulme me raketa ndaj Izraelit në hakmarrje për vrasjen e ish-udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei. Në përgjigje, Izraeli rifilloi sulmet ndaj Libanit dhe nisi një pushtim tokësor në vend.
