Industria e përpunimit të mishit në Mbretërinë e Bashkuar është përfshirë në një valë sulmesh kibernetike, duke ngritur shqetësime për sigurinë e zinxhirit ushqimor. Autoritetet britanike kanë konfirmuar se disa kompani të sektorit janë prekur, megjithëse ndikimi deri më tani konsiderohet i kufizuar.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ulmet kanë shënjestruar sistemet e frigoriferëve dhe ngrirësve në biznese ushqimore në disa vende evropiane, përfshirë Francën, Irlandën, Belgjikën dhe Suedinë. Ndërhyrjet kanë shkaktuar ndryshime të temperaturave në pajisjet frigoriferike, duke detyruar disa biznese të largojnë produkte ushqimore për shkak të rrezikut të prishjes.
Në Britani, Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike po bashkëpunon me kompanitë e prekura për të vlerësuar situatën dhe për të parandaluar incidente të tjera. Hetimet paraprake tregojnë se në disa raste janë shfrytëzuar pajisje të vjetra të lidhura me internetin, të cilat përdornin fjalëkalime standarde dhe kishin mangësi sigurie.
Autoritetet kanë paralajmëruar bizneset që të forcojnë mbrojtjen e sistemeve teknologjike, pasi sulme të tilla mund të krijojnë pasoja jo vetëm për aktivitetin ekonomik, por edhe për sigurinë e furnizimit me ushqime.
