Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka reaguar pas sulmeve të fundit ajrore të Rusisë, duke deklaruar se “sulmet brenda natës tregojnë qartë se Rusia, jo Ukraina, është pengesa për paqen”.
Në një postim në platformën X, ai tha se presidenti rus Vladimir Putin po tregon me veprime se nuk e dëshiron paqen, por synon ta vazhdojë luftën. “Dobësia dhe lëshimet nuk e ndalin terrorin e tij. Vetëm forca dhe presioni funksionojnë”, theksoi Sybiha.
Ndërkohë, edhe kryeministri i Ukrainës, Denis Shmyhal, reagoi përmes Telegram, duke akuzuar Rusinë se ka “terrorizuar qytetet ukrainase gjatë gjithë natës”.
Ai përsëriti qëndrimin e qeverisë së tij se Ukraina kërkon një armëpushim të plotë dhe pa kushte.
