Presidenti rus Vladimir Putin i ka dhënë shtetit rus kompetenca për të marrë përkohësisht nën kontroll operacionet e bizneseve dhe objekteve që konsiderohen të pambrojtura sa duhet ndaj sulmeve me dronë ukrainas dhe kërcënimeve të tjera.
Kompetencat e reja, të përcaktuara në një dekret presidencial, i lejojnë shtetit të marrë përkohësisht drejtimin e këtyre kompanive, në një kohë kur Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj rafinerive të naftës, depove dhe objekteve të tjera strategjike në Rusi.
Sipas dekretit, shteti mund të marrë kontrollin e aseteve materiale e financiare, si dhe të drejtave të pronësisë, në rast se konstatohet se kompanitë përgjegjëse kanë dështuar në mbrojtjen e objekteve ose kanë vonuar në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga sulmet.
Masa prek një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë industrinë, karburantet dhe energjinë, telekomunikacionin, shërbimet publike, zinxhirët e furnizimit dhe transportin, si dhe objektet e cilësuara si “kritike” ose “potencialisht të rrezikshme”.
Javën e kaluar, Putin urdhëroi qeverinë të nisë një program për rindërtimin e depove tregtare të dëmtuara ose të shkatërruara nga sulmet ukrainase gjatë javëve të fundit.
Që nga 18 korriku, Kievi ka sulmuar të paktën dy duzina depo që i përkasin gjigantit rus të shitjeve online Wildberries, duke dëmtuar një pjesë të konsiderueshme të kapacitetit të tij magazinues.
Ndërkohë, Ozon, një tjetër prej kompanive kryesore të tregtisë online në Rusi, deklaroi se katër qendra të saj të shpërndarjes në jug të vendit janë goditur nga sulmet ukrainase.
Dekreti i ri i Kremlinit vjen në një kohë kur sulmet me dronë ndaj infrastrukturës dhe objekteve ekonomike në territorin rus janë intensifikuar.
