Momente paniku janë përjetuar në bordin e fluturimit FZ1073 të Flydubai, i cili po udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit, pasi një incident i rëndë në kabinën e pilotëve detyroi avionin të humbiste mijëra metra lartësi.

Një prej pasagjerëve, Adam Polovincik, ka rrëfyer për BBC momentet e frikshme që përjetoi së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre, gjashtë dhe tre vjeç.

Sipas tij, fillimisht ai mendoi se lëvizjet e forta të avionit ishin shkaktuar nga turbulencat. Por situata u bë më e qartë kur në kabinë u dëgjuan britma dhe thirrje për ndihmë.

“Ka gjak, ka therje me thikë, na duhet ndihmë”, kujtoi Polovincik fjalët që dëgjoi gjatë incidentit.

Sipas dëshmive të bëra publike, njëri prej pilotëve dyshohet se sulmoi me thikë kolegun e tij dhe tentoi të merrte kontrollin e avionit. Në pak më shumë se dy minuta, avioni humbi rreth 17 mijë këmbë lartësi, duke shkaktuar panik tek pasagjerët.

Në mes të kaosit, Polovincik tha se mendimi i vetëm që kishte ishin fëmijët e tij. Ai i përqafoi fort dhe u përpoq t’i qetësonte, ndërsa vetë përpiqej të mos tregonte frikën.

“Thjesht u thua atyre se gjithçka do të shkojë mirë”, rrëfeu ai.

Situata zgjati rreth 10 deri në 15 minuta, përpara se pasagjerët të merrnin vesh se kontrolli i avionit ishte rikthyer. Avioni më pas shpalli emergjencë dhe sinjalizoi edhe alarm rrëmbimi, përpara se të devijohej drejt Arabisë Saudite.

Një prej pasagjerëve, Yaniv Hayun, dyshohet se arriti të ndërhynte fizikisht ndaj sulmuesit dhe ta nxirrte nga kabina, me ndihmën e pasagjerëve të tjerë.

Ndërkohë, piloti indian Smit Machchhar, i cili kishte mbetur i plagosur gjatë sulmit, arriti të hapte derën e kabinës, duke u krijuar mundësi pasagjerëve dhe pjesëtarëve të ekuipazhit të ndërhynin.

Polovincik i cilësoi pilotin dhe pasagjerët që ndërhynë si “heronj të vërtetë”, duke theksuar se hapja e derës së kabinës ishte vendimtare.

“Pa hapjen e derës nga ana e tij, ndoshta nuk do të ishim duke folur këtu tani”, tha ai, duke iu referuar pilotit të plagosur.