Papa Leone XIV tha për Reuters se “s’ka frikë dhe do të vazhdojë të flasë kundër luftës”, pas sulmit të drejtpërdrejtë të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump ndaj liderit të Kishës të 1.4 miliardë besimtarëve katolikë.

Në komentet e dhëna në bordin e avionit papnor gjatë udhëtimit drejt Algjerisë, ku Papa po nis një turne 10-ditor në katër vende afrikane, ai tha gjithashtu se mesazhi i krishterë po “keqpërdoret”.

“Nuk dua të hyj në debat me të,” tha Papa Leoni për Reuters. “Mesazhi është gjithmonë i njëjti: paqja. Dhe këtë ua them të gjithë udhëheqësve të botës: le të përpiqemi t’i japim fund kësaj lufte. Nuk mendoj se mesazhi i Ungjillit është menduar të keqpërdoret në mënyrën si po bëjnë disa njerëz.”