Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në kryeqytetin e Katarit, ndërsa mediat raportojnë se Izraeli ka ndërmarrë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj udhëheqjes së Hamasit gjatë një takimi në Doha. Sipas kanalit izraelit Channel 12, sulmi ka marrë miratimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Burime nga Hamasi, të cituara nga televizioni Al Jazeera, bëjnë me dije se objektivi ishte një takim i delegacionit negociator të grupit, ku mësohet të ketë qenë i pranishëm edhe Khaled Mashaal – ish-udhëheqës i lartë i Hamasit, i cili më parë i kishte shpëtuar një atentati izraelit në Jordani, në vitin 1997.

Ushtria izraelite ka konfirmuar se ka goditur një objektiv të Hamasit në Doha, pa dhënë detaje të mëtejshme për rezultatet apo pasojat e sulmit. Qyteti i Doha-s ka shërbyer si një nga qendrat kryesore për bisedimet paqësore që synojnë t’i japin fund konfliktit në Rripin e Gazës.