Një sulm me dron goditi hotelin luksoz Fairmont The Palm në zonën Palm Jumeirah, duke shkaktuar panik mes turistëve dhe dëme të dukshme në fasadën e ndërtesës.

Autoritetet mbyllën zonën menjëherë pas ngjarjes, ndërsa ekipet e emergjencës pastruan xhamat e thyer në rrugë.

Sipas dëshmitarëve, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua rreth orës 18:30 të së shtunës, teksa vizitorët ndodheshin në ambientet e hotelit.

Derek Thompson, një turist nga Skocia që po qëndronte në hotel me familjen, tha se ata po darkonin kur ndodhi shpërthimi.

“Ishte një shpërthim i çmendur dhe vrapuam menjëherë për t’u strehuar. Mendonim se do të kishte një tjetër, ndaj shkuam drejt plazhit për t’u larguar nga ndërtesat, nga frika se mund të shembeshin”, rrëfeu ai.

Familja u kthye më pas në dhomë, por pasi ndjeu erë tymi, vendosi të largohej më herët nga hoteli. Me hapësirën ajrore të mbyllur, largimi nga vendi u bë i pamundur.

Thompson tha se kishte ndjekur tensionet në rajon, por nuk e kishte imagjinuar kurrë që Dubai do të goditej drejtpërdrejt. Bashkëshortja e tij, Victoria, e përshkroi përjetimin si tronditës dhe tha se nuk e di kur do të ndihej sërish e sigurt për t’u kthyer.

Një tjetër turiste, Melissa Nicol nga Spanja, ishte nisur për në aeroport kur u njoftua për mbylljen e hapësirës ajrore dhe u detyrua të kthehej pas.

Ajo u sistemua në hotelin Five Palm Jumeirah, pranë zonës së sulmit. Pas goditjes së hotelit Fairmont, sirenat u aktivizuan dhe mysafirët u evakuuan në bodrum, ku kaluan natën për arsye sigurie.