Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë të ditur se një sulm me dron ka shkaktuar zjarr pranë centralit bërthamor “Barakah”, në zonën Al Dhafra pranë Abu Dhabit.

Sipas tyre, zjarri ka shpërthyer në një gjenerator elektrik jashtë perimetrit të brendshëm të centralit.

Nuk raportohet për persona të lënduar dhe nuk ka pasur ndryshime në nivelet e rrezatimit apo rrezik për sigurinë bërthamore.

Autoriteti Federal për Rregullimin Bërthamor ka konfirmuar se centrali nuk është prekur dhe të gjitha njësitë e tij vazhdojnë punën normalisht.

Centrali “Barakah”, që ndodhet rreth 200 kilometra në perëndim të Abu Dhabit, është në funksion që nga viti 2020 dhe mbulon një pjesë të madhe të nevojave për energji elektrike të vendit.

Deklarata zyrtare nuk tregon nga ka ardhur droni, por në të kaluarën Emiratet e Bashkuara Arabe kanë akuzuar Iranin për sulme ndaj infrastrukturës së tyre.

Nga ana tjetër, Irani ka mohuar këto akuza dhe ka fajësuar shtetet aleate të SHBA-së në rajon.

Autoritetet kanë bërë të ditur se situata është nën kontroll dhe po hetohen rrethanat e incidentit.