Kryeministri polak Donald Tusk ka deklaruar se vendi i tij do të kërkojë zyrtarisht aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s, pas 19 shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia.
Lëvizja e Varshavës zyrtare vjen në një kohë të rritjes së tensioneve në kufijtë lindorë të Aleancës, ku Polonia ndodhet në vijën e parë të kërcënimeve, përballë Bjellorusisë dhe afër territorit të luftës në Ukrainë.
Por çfarë është Neni 4 i NATO-s?
Sipas Traktatit të Uashingtonit të vitit 1949, Neni 4 i jep të drejtë çdo shteti anëtar të kërkojë konsultime urgjente me aleatët, nëse konsideron se siguria, integriteti territorial ose pavarësia politike e tij është e rrezikuar. Ky nen nuk nënkupton ndërhyrje ushtarake automatike, por sjell çështjen para Këshillit të Atlantikut të Veriut për të diskutuar masa të mundshme politike, diplomatike apo parandaluese.
Ndryshe nga Neni 5, që flet për mbrojtje kolektive në rast sulmi, Neni 4 konsiderohet si një “kambanë paralajmëruese”, që sinjalizon një rrezik të afërt dhe hap rrugën për vendime strategjike. Këto masa mund të përfshijnë patrullime ajrore të përforcuara, vendosje të trupave në vendet lindore të NATO-s apo edhe ushtrime të përbashkëta ushtarake.
Sipas qeverisë polake, 19 shkelje të hapësirës ajrore nga avionë rusë janë regjistruar kohët e fundit, duke e vendosur vendin përballë një rreziku real. Duke kërkuar aktivizimin e Nenit 4, Varshava kërkon mbështetje politike dhe ushtarake nga aleatët, por edhe një mesazh të qartë për Moskën se nuk është vetëm.
Neni 4 është aktivizuar vetëm 7 herë në historinë e NATO-s, ndër to:
- Turqia (2003, 2012, 2015, 2020) për shkak të konflikteve në Lindjen e Mesme;
- Polonia, shtetet baltike (2014) pas aneksimit të Krimesë nga Rusia;
- Polonia, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria, Rumania (2022) pas nisjes së luftës në Ukrainë.