Ukraina u godit nga Rusia me sulmin më të madh ajror të kryer në 24 orët e fundit që nga fillimi i luftës, duke përdorur gjithsej 948 dronë në qytete të ndryshme, me pasoja të rënda për njerëzit dhe infrastrukturën.
Autoritetet ukrainase raportojnë se mbi 400 dronë u përdorën vetëm gjatë pasdites së së martës, pas një bombardimi të rëndë gjatë natës që la të paktën pesë të vdekur.
Në Lviv, kryebashkiaku Andriy Sadovyi njoftoi se të paktën 22 persona u plagosën, ndërsa paralajmëroi se bilanci mund të rritet. Autoritetet lokale publikuan pamje të një ndërtese banimi në flakë pranë një objekti historik.
Kreu i rajonit, Maksym Kozytskyi, bëri të ditur se manastiri Bernardine, një monument i shekullit të 16-të i mbrojtur nga UNESCO, ka pësuar dëmtime.
Sulme u raportuan edhe në Ivano-Frankivsk, Vinnytsia dhe Ternopil. Në Ivano-Frankivsk, sipas guvernatores Svitlana Onyshchuk, dy persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën, përfshirë një fëmijë gjashtëvjeçar, ndërsa u dëmtuan edhe objekte civile, përfshirë një spital lindjeje.
Në Vinnytsia, një person u vra dhe 11 të tjerë u plagosën gjatë sulmeve të pasdites.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yurii Ihnat, deklaroi se një numër i madh dronësh hynë në hapësirën ajrore nga veriu, duke lëvizur në formacione të organizuara, dhe e cilësoi operacionin si një nga sulmet më të mëdha të këtij lloji që nga fillimi i luftës.
Ndërkohë, edhe territori rus pësoi pasoja: guvernatori i rajonit Kursk njoftoi se një person u vra dhe 13 të tjerë u plagosën pas një sulmi me dronë nga Ukraina ndaj një ndërmarrjeje bujqësore.
