Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Dallas, SHBA, ku një 29-vjeçar, Joshua Jahn, hapi zjarr ndaj një furgoni të Agjencisë së Imigracionit (ICE), duke vrarë një emigrant dhe plagosur dy të tjerë. Sulmi ndodhi të mërkurën në mëngjes, ndërsa migrantët po transportoheshin me një automjet pa shenja zyrtare.
Sipas drejtuesit të FBI-së, Kash Patel, Jahn kishte kërkuar ditë më parë pamje të të shtënave ndaj figurës konservatore Charlie Kirk dhe kishte kryer kërkime për armë, snajperë dhe vendndodhjet e objekteve të DHS-së.
Në vendin e ngjarjes u gjetën plumba të personalizuar me mbishkrimin “Anti-ICE”, ndërsa në shtëpinë e autorit u zbulua një shënim që sugjeronte synimin për të frikësuar agjentët federalë.
Jahn u vetëvra pak pasi policia rrethoi zonën. Vëllai i tij tha se nuk kishte shenja që ai ishte radikalizuar politikisht dhe se kohët e fundit ishte i papunë.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe nëse Jahn ka pasur lidhje me ndonjë grup ekstremist.