Tre gra, mes tyre edhe një shtatzënë, janë plagosur në një sulm me thikë pranë një stacioni tramvaji në veri të Parisit.

Sipas autoriteteve franceze, dy prej të plagosurave janë dërguar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa gruaja e tretë ka marrë lëndime më të lehta. Viktimat janë të moshës 19, 24 dhe 36 vjeçe.

Policia arrestoi në vendngjarje një 31-vjeçar, i cili dyshohet se sulmoi gratë me dy thika kuzhine.

Dëshmitarët thanë se një kalimtar ndërhyri duke e goditur autorin me çantën e tij dhe e rrëzoi në tokë, çka bëri të mundur neutralizimin e tij. Më pas, një efektiv policie jashtë shërbimit ndërhyri menjëherë dhe e arrestoi të dyshuarin.

Identiteti i autorit dhe motivi i sulmit nuk janë bërë ende të ditura. Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, deklaroi se i dyshuari ka dhënë deklarata të paqarta para hetuesve dhe u bëri thirrje autoriteteve dhe publikut të mos nxjerrin përfundime të parakohshme për motivin e ngjarjes.

Sipas agjencisë Reuters, duke iu referuar dëshmive dhe videove nga vendi i ngjarjes, i dyshuari është dëgjuar të thotë se “Allahu më urdhëroi ta bëj këtë” menjëherë pas sulmit.

Ndërkohë, Zyra Kombëtare e Antiterrorizmit në Francë ka njoftuar se po ndjek procedurat hetimore të zhvilluara nga Prokuroria e Parisit.