Naveed Akram, i dyshuari i mbijetuar në të shtënat masive të së dielës në Bondi Beach në Sydney, është akuzuar për 59 vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një për kryerjen e një akti terrorist.
Policisë së Uellsit të Ri Jugor i ka komunikuar zyrtarisht akuzat të riut, teksa personi tjetër i armatosur, babai i tij Sajid Akram, 50 vjeç, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë në vendngjarje.
Pesëmbëdhjetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmin, i cili kishte në shënjestër komunitetin hebraik të Australisë në një aktivitet për të festuar natën e parë të Hanukkah.
Këto ishin të shtënat më vdekjeprurëse në vend që nga viti 1996.
Akram përballet gjithashtu me 40 akuza për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore me qëllim vrasjeje, si dhe një akuzë për shkaktim të shfaqjes publike të një simboli të organizatës terroriste të ndaluar.
Ai u plagos rëndë gjatë incidentit të së dielës dhe pati seancën e tij të parë dëgjimore nga shtrati i spitalit, tha gjykata lokale e Uellsit të Ri Jugor.
Gjykata shtoi se çështja është shtyrë deri në prill 2026.
Njëzet persona të plagosur në sulm mbeten në spitale në të gjithë Sydney-n, me një person ende në gjendje kritike.
Policia e ka cilësuar sulmin si incident terrorist, me kryeministrin australian Anthony Albanese që tha se duket se është “motivuar nga ideologjia e grupit Shteti Islamik”.
Policia tha se flamuj “të bërë në shtëpi” të grupit Shteti Islamik dhe pajisje shpërthyese të improvizuara (IED) janë gjetur në automjetin e përdorur nga personat e armatosur.


