Një ditë pas sulmit terorist në një sinagogë në Mançester, dëshmitarët kanë rrëfyer orët e tmerrit.

Daniel Walker, drejtues i lutjeve në sinagogën hebraike, ka rrëfyer momentet dramatike kur autori Jihad Al-Shamie u përpoq të hynte me forcë, e më pas të kryente sulmin me pasoja në jetë njerëzish.

“Pashë të keqen, pashë urrejtjen. Po sulmonte dyert, hidhte vazo të rënda me bimë, bënte gjithçka që mundej për të hyrë. Duhet ta them se pashë heroizëm të vërtetë. Njerëz që vrapuan për të ndihmuar të tjerët, jo për të ikur. Ishte e mahnitshme”, tha ai për BBC.

Sipas tij, sulmi ndodhi pak para se të niste shërbesa për Yom Kippur, kur më vonë pritej prania e qindra personave në ambient.

“Nëse një zotëri në veçanti nuk do të kishte vepruar aq shpejt për të mbyllur dyert, mund ta imagjinojmë se çfarë tragjedie mund të kishte ndodhur”, shtoi ai.

Gjatë sulmit, dy persona humbën jetën, Adrian Daulby, 53 vjeç, dhe Melvin Cravitz, 66 vjeç, ndërsa tre të tjerë mbeten në spital me lëndime të rënda. Sulmuesi, Jihad Al-Shamie, u qëllua për vdekje nga policia në vendngjarje.