Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një reagim të fuqishëm ushtarak pas një sulmi vdekjeprurës në Siri, ku humbën jetën dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil. Incidenti, për të cilin Uashingtoni fajëson grupin terrorist ISIS, është goditja e parë me viktima ndaj trupave amerikane që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad një vit më parë.

“Do të ketë një hakmarrje jashtëzakonisht serioze,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm të drejtpërdrejtë të ISIS-it ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Sirisë në një zonë që ende mbetet e paqëndrueshme.

Sulmi ndodhi të shtunën pranë qytetit antik të Palmirës. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, një person i armatosur kishte ngritur një pritë kundër forcave amerikane, duke vrarë tre persona dhe plagosur tre të tjerë. Të plagosurit u transportuan menjëherë në bazën ushtarake të Al-Tanf. Autori i sulmit u neutralizua nga trupat amerikane në vendngjarje.

Edhe pse SHBA i atribuoi menjëherë përgjegjësinë ISIS-it, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut deklaroi se sulmuesi ishte pjesëtar i forcave të sigurisë siriane. Kjo u konfirmua më vonë nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Sirisë, Nour al-Din al-Baba, i cili pohoi se autori ishte anëtar i “Forcës së Sigurisë së Brendshme në shkretëtirë”, i dyshuar për radikalizëm dhe i vendosur nën hetim përpara ngjarjes.

Trump bëri të ditur se ka komunikuar me presidentin e ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, i cili sipas tij ishte “i shokuar dhe thellësisht i zemëruar” nga sulmi. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë transformuar rrënjësisht që nga rrëzimi i Assadit në dhjetor 2024. Al-Sharaa, dikur një komandant rebel me një shpërblim prej 10 milionë dollarësh mbi kokën e tij, vizitoi Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, duke shënuar vizitën e parë të një lideri sirian në Uashington që prej vitit 1946.

Reagimet zyrtare amerikane kanë qenë të menjëhershme dhe të ashpra. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, lëshoi një paralajmërim brutal ndaj çdo grupi që synon amerikanët:

“Nëse guxoni të godisni amerikanët — kudo që të jeni — do ta kaloni pjesën tjetër të jetës suaj të shkurtër në frikë nga ajo që do të ndodhë. Ne do t’ju gjejmë dhe do t’ju eliminojmë pa hezitim.”

SHBA vijon të mbajë qindra trupa në lindje të Sirisë dhe në bazën e Al-Tanf, si pjesë e koalicionit global kundër ISIS-it. Sipas OKB-së, ky grup extremist mbetet ende aktiv në rajon, me një forcë vlerësuar prej 5,000 deri në 7,000 luftëtarësh.