Leah Stewart ishte duke notuar një mëngjes në Coogee Beach, në Sidnei, kur u përball me një situatë që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë.
34-vjeçarja, mësuese dhe nënë e një vajze 1-vjeçare, u sulmua nga një peshkaqen i madh më 13 qershor dhe pësoi plagë të rënda që shkaktuan amputimin e njërit krah.
Ndërkohë që sulmohej nga peshkaqeni, ajo arriti të mbahej pas pjesës së pasme të një mjeti lundrues, ndërsa një roje plazhi u nis drejt saj me një dërrasë shpëtimi. Njerëzit që ndodheshin aty e nxorën nga uji dhe nisën menjëherë ndihmën e parë, deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës.
Tani, në intervistën e saj të parë që prej ngjarjes, Leah ka rrëfyer se në ato momente mendoi vetëm për vajzën e saj, August.
“Po më mbante nga këmba dhe unë mendova vetëm për August. Mendova: ‘Ajo nuk do të ketë nënë. Do të rritet pa nënë’”, tregoi ajo e përlotur. “Nuk mund ta përballoja dot këtë. Nuk doja që ajo të rritej pa nënë.”
Leah tha se pamja e peshkaqenit është diçka që nuk beson se do ta harrojë ndonjëherë.
“Fytyra e tij ishte e tmerrshme. Nuk do ta harroj kurrë. Ishte një përbindësh,” tha ajo.
Përdorimi i fjalës “përbindësh” solli edhe kritika në rrjet nga disa njerëz, të cilët kundërshtuan mënyrën se si Leah e përshkroi peshkaqenin, duke argumentuar se një përshkrim i tillë vetëm sa ushqen frikën ndaj peshkaqenëve. “Ky është ambienti i tyre; jemi ne ata që hyjmë në ujë,” tha dikush.
Por të tjerë dolën menjëherë në mbrojtje të saj, duke kujtuar se ajo po përshkruante çfarë kishte përjetuar në sekondat kur po luftonte për jetën. “Për të gjithë ata që po e kritikojnë këtë grua sepse e quajti peshkaqenin ‘përbindësh’: tregoni pak dhembshuri. Ajo thjesht po përshkruan se si është ndier në momentin kur po sulmohej. Pyes veten çfarë do të thoshit po të ishit ju në vendin e saj,” shkroi një person në koment.
Pas sulmit, 34-vjeçarja ishte në gjendje kritike për më shumë se dy javë, ndërsa mjekët u përpoqën që ta mbanin në jetë dhe t’i trajtonin plagët e rënda.
Në një përditësim të publikuar në faqen e mbledhjes së fondeve të krijuar për të mbuluar trajtimet mjekësore dhe për të mbështetur familjen, Leah tha se më në fund kishte nisur të shihte “pak dritë” pas muajve jashtëzakonisht të vështirë.
“Jam shumë e lumtur që kam përparuar aq sa të fitoj pak pavarësi dhe më në fund mund të shoh pak dritë pas gjithë kësaj,” shkroi ajo.
Ajo shtoi se po përpiqet të bëjë gjithçka që mundet për t’iu rikthyer një jete sa më normale.
“Kam ende shumë rrugë përpara, por rikuperimi im ka qenë i jashtëzakonshëm dhe një pjesë e madhe e kësaj vjen nga gjithë dashuria, mbështetja, lutjet dhe inkurajimi që familja ime dhe unë kemi marrë nga e gjithë bota.”
Ajo falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan, duke thënë se mbështetja financiare i ka dhënë mundësinë të ketë më shumë alternativa për trajtime të ardhshme.
“Ndjej sikur më është dhënë një shans i dytë në jetë.”
Dhe këtë shans, thotë ajo, nuk ka ndërmend ta shpërdorojë.
“Ndërsa bëhem më mirë, e di që do të bëj diçka me këtë mundësi të dytë dhe do të përpiqem të shfaq edhe më shumë bujari, kujdes dhe dashuri.”
