Bashkimi Evropian kërkon nga autoritetet serbe arrestimin dhe ndjekjen penale të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë, duke shprehur shqetësim edhe për pjesëmarrjen e disa prej tyre në protesta në Serbi.
Në një deklaratë për televizionin serb N1, zëdhënësi i BE-së theksoi rëndësinë e adresimit të këtij sulmi që ndodhi më 24 shtator 2023, kur sulmues të armatosur serbë nga Kosova sulmuan policinë e Kosovës, duke shkaktuar vdekjen e një oficeri dhe plagosjen e dy të tjerëve.
“Ne presim që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe ndjekin penalisht autorët që ndodhen në territorin e tyre, duke i sjellë ata para drejtësisë me akuza të përshtatshme,” tha zëdhënësi i BE-së.
Bashkimi Evropian u shpreh gjithashtu i shqetësuar për raportimet që disa nga personat e dyshuar për sulmin në Banjskë janë parë duke marrë pjesë në demonstrata pro-qeveritare në Beograd. Ndër ta është identifikuar edhe Vlladimir Vuçetiç nga Mitrovica e Veriut, i përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, si dhe Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i konsideruar përgjegjës për sulmin.
Zëdhënësi i BE-së kujtoi se në tetor 2023, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë i kishte dërguar Serbisë kërkesën për asistencë juridike lidhur me këtë çështje, por deri tani nuk është marrë asnjë përgjigje nga autoritetet serbe.
“Presim bashkëpunim të plotë përmes kanaleve të asistencës juridike të ndërsjellë. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së e ka ngritur këtë çështje personalisht me presidentin Vuçiq dhe do ta diskutojë sërish në takimet me liderët e Ballkanit Perëndimor në Nju Jork,” përfundoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian.