Britania u trondit të mërkurën nga një sulm terrorist jashtë sinagogës Heaton Park në Mançester, gjatë festës hebraike të Yom Kippur, ku mbetën të vrarë dy persona dhe tre të tjerë u plagosën rëndë. Autori i krimit, Jihad Al-Sami, 35 vjeç, me origjinë siriane, u neutralizua nga policia teksa tentonte të arratisej.
Kush ishte autori?
Al-Sami kishte mbërritur në Britani si fëmijë dhe kishte marrë shtetësinë në vitin 2006. Ai punonte si mësues anglishteje dhe programimi, ndërsa fqinjët e përshkruajnë si një njeri të qetë dhe të tërhequr. Nuk kishte qenë ndonjëherë në shënjestër të policisë dhe nuk kishte marrë pjesë në programin “Parandalimi” kundër radikalizimit. Babai i tij, Faraj Al-Sami, është mjek traumatolog me përvojë në zonat e konfliktit, i njohur për punën në OJQ ndërkombëtare.
Si ndodhi sulmi?
Ngjarja ndodhi në orën 09:31 të mëngjesit. Autori drejtoi makinën e tij mbi besimtarët që po shkonin drejt tempullit dhe më pas doli i armatosur me një thikë, duke goditur këdo që gjendej përpara. Viktimat janë dy anëtarë të komunitetit hebre: Adrian Dolby, 53 vjeç dhe Melvin Kravitz, 66 vjeç. Tre të tjerë mbetën në gjendje kritike, përfshirë një që u godit nga automjeti.
Falë ndërhyrjes së Rabinit Daniel Walker dhe disa vullnetarëve që mbyllën dyert, u shmang pushtimi i sinagogës. Al-Sami mbante një jelek që fillimisht u mendua se ishte me eksplozivë, por rezultoi i rremë.
Gjatë përplasjes, Yoni Finley, baba i tre fëmijëve, u plagos teksa përpiqej të ndalonte autorin dhe iu nënshtrua një operacioni. Ai është jashtë rrezikut për jetën. Policia arrestoi gjithashtu dy burra dhe një grua të dyshuar për përfshirje në planifikimin e aktit.
Reagime dhe dënime
Sulmi u dënua ashpër nga udhëheqësit politikë e fetarë. Kryerabini Sir Ephraim Mirvis e cilësoi ngjarjen si “një ditë që kishim frikë se do të vinte”, duke folur për një valë të rrezikshme urrejtjeje antisemite.
Kryeministri Sir Keir Starmer, i kthyer me urgjencë nga Kopenhaga, drejtoi një mbledhje të komitetit Cobra dhe premtoi rritjen e masave të sigurisë për komunitetet hebraike. “Ky ishte një sulm ndaj hebrenjve thjesht sepse janë hebrenj”, deklaroi ai, duke përgëzuar policinë për reagimin e shpejtë dhe heroizmin e qytetarëve që shmangën një tragjedi më të madhe.
Nga Izraeli, Benjamin Netanyahu e përshkroi ngjarjen si një “sulm barbar”, duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave. Ndërsa ministrja britanike e Brendshme, Shabana Mahmoud, e quajti aktin “të tmerrshëm dhe antisemit”, duke premtuar hetim të plotë për të zbardhur çdo detaj.