Një ngjarje tragjike me pasoja të rënda ka tronditur komunitetin hebre në Mançester të Mbretërisë së Bashkuar, pasi dy besimtarë humbën jetën gjatë një sulmi terrorist të ndodhur mëngjesin e së enjtes, në ditën e shenjtë të Yom Kippur.
Autoritetet britanike konfirmuan se një nga viktimat, Melvin Cravitz, 66 vjeç, u qëllua për vdekje aksidentalisht nga policia, ndërsa efektivët përpiqeshin të neutralizonin sulmuesin, Jihad Al Shamie, një 35-vjeçar me origjinë siriane dhe shtetësi britanike.
Sipas Policisë së Mançesterit të Madh, Cravitz ndodhej pranë hyrjes së sinagogës së bashku me besimtarë të tjerë që po përpiqeshin të ndalonin agresorin. Në momentin e ndërhyrjes, policët dyshuan se Al Shamie mbante një jelek vetëvrasës dhe, në një situatë paniku, hapën zjarr për të parandaluar hyrjen e tij në ambientet e brendshme. Më vonë rezultoi se jeleku ishte i rremë.
Shefi i policisë Stephen Watson sqaroi se “plagosja e vdekjeprurëse e viktimës ishte një pasojë tragjike dhe e paparashikuar e një situate ekstreme”. Ai gjithashtu njoftoi se një tjetër person i plagosur, aktualisht në spital, dyshohet të jetë qëlluar po ashtu nga policia gjatë përplasjes.
Sulmi ndodhi kur Jihad Al Shamie përplasi makinën mbi kalimtarët jashtë Sinagogës Hebraike në Heaton Park dhe më pas sulmoi me thikë besimtarët. Viktima tjetër e konfirmuar ishte Adrian Daulby, 53 vjeç.
Al Shamie u qëllua për vdekje nga forcat e rendit rreth shtatë minuta pas fillimit të sulmit. Ai kishte ardhur në Britani si fëmijë i vogël dhe ishte natyralizuar si shtetas britanik në vitin 2006.
Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, deklaroi se Al Shamie nuk ishte i njohur më parë për autoritetet, dhe se është ende herët për të përcaktuar nëse veproi si individ i vetëm apo kishte lidhje me ndonjë celulë terroriste.
Hetimet vijojnë, ndërsa komuniteti hebre dhe autoritetet janë në alarm për sigurinë, sidomos në vendet e kultit.