Siri
Një komandë e armatosur ka shkatërruar selinë e një televizioni proqeveritar. 7 të vdekur
Lufta që ka shpërthyer në Siri ka dalë tashmë jashtë çdo kontrolli. Në Khan al Shih, rreth 35 kilometra në juglindje të Damaskut, një komandë e armatosur ka sulmuar dhe plaçkitur selinë e televizionit sirian “al-Ekhbariya”, i lidhur me regjimin e Bashar al-Assad: 7 persona kanë humbur jetën, mes të cilëve tre gazetarë dhe katër roje. Sulmi ndodhi në orën 04.30 me orën lokale dhe u plagosën 9 persona. 7 të tjerë janë sulmuar. Ajo që raportoi për atë që u cilësua si një “akt terrorist” ishte agjencia shtetërore e lajmeve, “Sana”. Ministri sirian i informacionit, Omran al Zubi, foli për “një masakër brutale kundër medias dhe lirisë së shprehjes, ku gazetarët u vranë pa mëshirë, ndërsa zyra të tëra u shkatërruan”. Zubi, nga ana tjetër, cilësoi si përgjegjës për sulmin Bashkimin Europian, vendet arabe dhe organizatat ndërkombëtare: “I cilësojmë këto organizma ndërkombëtare si përgjegjëse për sulmin”, tha Zubi. “Ata që kryen këtë krim zbatuan vendimin e Këshillit të Ligës Arabe për t’i “mbyllur gojën e Sirisë”, shtoi Zubi. “Siria – shkruan ‘Sana’ – duhet të përballojë presionin e një fushate të gabuar nga mediat arabe, në veçanti nga ato të Katarit dhe Arabisë Saudite e mediave perëndimore që raportojnë dhe përhapin lajme të rreme dhe tendencioze”. Zubi deklaroi gjithashtu se “transmetimet nuk do të ndalen dhe kjo masakër nuk do të mbetet e pandëshkuar”. Komanda e armatosur sulmoi selinë e televizionit satelitor, duke vendosur eksploziv dhe duke nxjerrë jashtë funksionit shumë prej aparaturave teknike. Megjithatë televizioni vazhdoi transmetimet e tij pa asnjë ndërprerje. Shumë zyra u shkatërruan plotësisht dhe nga imazhet e transmetuara duken gjithandej shenjat e lëna nga shpërthimi i eksplozivit. Nëpër dysheme shihet gjaku i viktimave, gëzhojat e plumbave dhe flakët që kanë pushtuar një pjesë të mirë të ndërtesës. Sulmi erdhi vetëm pak orë pasi Presidenti i vendit, Assad, kishte deklaruar se vendi “ishe në gjendje lufte në të gjitha këndvështrimet. Pas më shumë se një viti që nga koha kur nisën kryengritjet kundër tij, Presidenti sirian pranoi se vendi i tij është në gjendje lufte. Në momentin që ne jemi në luftë, të gjitha politikat, të gjitha palët dhe të gjithë sektorët duhet të drejtohen për ta fituar këtë luftë”. Ai kritikoi vendet që kanë bërë thirrje që ai të heqë dorë, duke thënë se Perëndimi “merr e nuk jep kurrë dhe kjo është provuar në çdo fazë deri tani”. Televizioni shtetëror sirian prej kohësh është i përfshirë në listën e zezë të “objekteve” afër regjimit që janë prekur nga sanksionet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ekipi i hetuesve të Kombeve të Bashkuara, i tha Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në Gjenevë, se forcat qeveritare siriane kanë bërë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë ekzekutime, “në një shkallë alarmuese” gjatë tre muajve të kaluar. Ambasadori i Sirisë e braktisi debatin në Gjenevë, duke thënë se Damasku nuk “do të marrë pjesë në këtë takim skandaloz politik”.
Sulmi – Lufta që ka shpërthyer në Siri ka dalë tashmë jashtë çdo kontrolli. Rreth 35 kilometra në juglindje të Damaskut, një komandë e armatosur ka sulmuar dhe plaçkitur selinë e televizionit sirian “al-Ekhbariya”
Vrasjet – 7 persona kanë humbur jetën, mes të cilëve tre gazetarë dhe katër roje. Sulmi ndodhi në orën 04.30 me orën lokale dhe u plagosën 9 persona. 7 të tjerë janë sulmuar