Gjatë 18 muajve të fundit, dhjetëra miliona rusë janë detyruar të instalojnë në telefonat e tyre një aplikacion të ri, një ikonë ngjyrë vjollcë-blu të krijuar për mesazhe dhe pagesa, të quajtur Max.
Autoritetet e kanë promovuar atë si një alternativë patriotike ndaj Telegram dhe WhatsApp, ndërsa figura të njohura ruse e kanë promovuar në videoklipe rap-i dhe skeçe humoristike. Këtë verë, ai u bë aplikacioni i mesazheve më i përdorur në vend.
Max është produkt i VKontakte, kompanisë ruse të rrjeteve sociale, e cila është e lidhur ngushtë me shtetin rus. Presidenti rus, Vladimir Putin, raportohet se zotëron një pjesë indirekte të Max.
Max është versioni rus i një “super-aplikacioni”, që kombinon një ekosistem shërbimesh në një platformë të vetme. Ai shërben si një hapësirë për një sërë “mini-aplikacionesh” që tashmë lehtësojnë jetën e përditshme në Rusi – aplikacione bankare, një shërbim mesazhesh që synon të zëvendësojë Telegram dhe aplikacione për shërbime thelbësore qeveritare.
“Super-app”-i më i njohur në botë është WeChat, platforma kineze që përfshin pothuajse çdo shërbim dhe që ka luajtur një rol në sistemin e kontrollit social të shtetit.
Por, ndërsa WeChat u zhvillua gjatë dekadave, paralelisht me sistemin kinez të kontrollit të internetit, Max është imponuar mbi një popullsi që dikur kishte një akses kryesisht të lirë në internet.
