Pas disa vitesh pas hekurave, Ilias Kasidhiaris rikthehet në liri dhe bashkë me të rikthehet edhe debati mbi të ardhmen e tij politike. Ish-figura e rëndësishme e Agimit të Artë pritet të largohet këtë të martë nga burgu i Domokosit, pasi konsiderohet se ka përmbushur dënimin e dhënë për rolin e tij drejtues në organizatën që drejtësia greke e shpalli kriminale.
Kasidhiaris ishte dënuar me 13 vjet burg. Sipas avokates së tij, rreth shtatë vite janë kryer fizikisht në qeli, duke përfshirë edhe periudhën e paraburgimit, ndërsa pjesa tjetër e dënimit është përllogaritur sipas rregullave penitenciare për punën e kryer gjatë qëndrimit në burg.
Por lirimi i tij nuk shihet thjesht si përfundimi i një kapitulli gjyqësor. Vëmendja në Greqi është zhvendosur menjëherë te ajo që Kasidhiaris mund të bëjë tashmë jashtë burgut dhe, mbi të gjitha, nëse do të ketë mundësi të rikthehet zyrtarisht në garën politike.
Ish-deputeti ka dhënë sinjale se synon pikërisht këtë. Ai pretendon se rikthehet në liri me të drejta të plota politike dhe ka paralajmëruar një konferencë për shtyp ku pritet të zbulojë hapat e ardhshëm. Edhe përfaqësuesja e tij ligjore ka deklaruar se Kasidhiaris synon të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.
Megjithatë, rruga drejt fletës së votimit mund të jetë shumë më e komplikuar.
Legjislacioni grek i miratuar në vitin 2023 parashikon kufizime për pjesëmarrjen në zgjedhje të partive apo formacioneve që drejtohen, edhe faktikisht, nga persona të dënuar për drejtimin ose pjesëmarrjen në një organizatë kriminale. Pikërisht interpretimi i këtij ligji pritet të jetë vendimtar për të ardhmen politike të Kasidhiaris.
Në qarqet juridike ka diskutime nëse pengesat ndaj tij përfundojnë me daljen nga burgu apo nëse pasojat ligjore vazhdojnë përtej përfundimit të vuajtjes fizike të dënimit. Nëse Kasidhiaris tenton të kandidojë apo të drejtojë një forcë politike, çështja pritet të përfundojë sërish përpara Gjykatës së Lartë.
Kasidhiaris ka provuar edhe më parë të rikthehet në zgjedhje nga qelia. Në vitin 2023 ai tentoi të merrte pjesë përmes partisë “Ellines”, por Gjykata e Lartë nuk e lejoi formacionin të hynte në garë, duke vlerësuar se ish-deputeti ishte drejtuesi i tij real.
Pas këtij vendimi, mbështetja e tij u orientua drejt partisë “Spartiates”. Edhe kjo çështje përfundoi në drejtësi. Në qershor 2025, Gjykata e Posaçme Zgjedhore u hoqi mandatin tre deputetëve të kësaj force, duke arritur në përfundimin se Kasidhiaris kishte luajtur rolin e drejtuesit të fshehtë të saj dhe se votuesit ishin mashtruar për drejtimin real të partisë.
Pavarësisht burgimit, ai nuk u shkëput plotësisht nga aktiviteti publik. Përmes rrjeteve sociale, videove dhe komunikimeve online, Kasidhiaris vazhdoi të mbante kontakte me mbështetësit dhe të ndërtonte një prani politike. Në zgjedhjet lokale të vitit 2023 ai arriti madje të zgjidhej këshilltar bashkiak në Athinë ndërsa ndodhej ende në burg.
Dalja e tij nga Domokosi rikthen kështu një emër të lidhur ngushtë me një nga periudhat më të errëta të politikës moderne greke.
Agimi i Artë u shndërrua në një forcë të rëndësishme parlamentare gjatë krizës së rëndë ekonomike. Në zgjedhjet e qershorit 2012 mori 6.92% të votave dhe siguroi 18 mandate. Edhe në vitin 2015 ruajti një mbështetje pranë nivelit 7%, përpara se në zgjedhjet e vitit 2019 të mbetej nën pragun 3% dhe jashtë Parlamentit.
Goditja vendimtare ndaj organizatës erdhi pas vrasjes së muzikantit antifashist Pavlos Fyssas në shtator 2013 nga Giorgos Roupakias, i lidhur me Agimin e Artë. Hetimi që pasoi çoi në një proces gjyqësor shumëvjeçar.
Në vitin 2020, drejtësia greke arriti në përfundimin se Agimi i Artë kishte funksionuar si organizatë kriminale nën mbulesën e një partie politike. Të 18 ish-deputetët e grupit të saj parlamentar u shpallën fajtorë: shtatë për drejtimin e organizatës dhe 11 për pjesëmarrje në të.
Mes personave të dënuar për rol drejtues, përveç Kasidhiaris, ishin lideri i Agimit të Artë Nikos Michaloliakos, Giannis Lagos, Christos Pappas, Giorgos Germenis, Ilias Panagiotaros dhe Artemis Matthaiopoulos. Në procesin e apelit, në mars 2026, u shpallën fajtorë të gjithë 42 të pandehurit që kishin vijuar betejën gjyqësore.
Koha e lirimit të Kasidhiaris ka gjithashtu një peshë të fortë simbolike, pasi përkon me ditët pranë përvjetorit të vrasjes së Pavlos Fyssas.
Por përtej simbolikës, shqetësimi kryesor lidhet me atë që mund të ndodhë më tej.
Sipas gazetës greke “Efimerida ton Syntakton”, Kasidhiaris ka punuar prej muajsh për përgatitjen e rikthimit të tij. Strategjia e re, sipas kësaj analize, synon t’i japë aktivitetit të tij një pamje më institucionale dhe të shmangë imazhin e dhunshëm që shoqëroi Agimin e Artë.
Rrjetet sociale pritet të jenë një prej mjeteve kryesore të kësaj përpjekjeje, veçanërisht për të depërtuar tek votuesit më të rinj. Në vend të simbolikës së hapur neonaziste të Agimit të Artë, Kasidhiaris pritet të përdorë një profil të ndërtuar rreth nacionalizmit, retorikës antisistem dhe kritikave ndaj elitave tradicionale politike.
Momentumi politik mund të jetë gjithashtu i rëndësishëm. Greqia po i afrohet zgjedhjeve parlamentare në një periudhë kur skena politike është e fragmentuar. Demokracia e Re vazhdon të jetë forca kryesore, por në të djathtë të saj ekzistojnë disa parti që konkurrojnë për votën konservatore, nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë.
Ndërkohë, partitë progresiste dhe të qendrës së majtë mbeten të ndara dhe ende nuk kanë krijuar një alternativë të vetme qeverisëse.
Pikërisht në këtë hapësirë politike mund të përpiqet të hyjë Kasidhiaris.
Krahasimet me vitin 2012 janë të pashmangshme, edhe pse Greqia e sotme është shumë larg krizës së asaj periudhe. Agimi i Artë përfitoi atëherë nga zemërimi i madh social, rënia ekonomike dhe humbja e besimit te partitë tradicionale.
Sot situata ekonomike dhe institucionale është tjetër, por pakënaqësitë nuk janë zhdukur. Kostoja e jetesës, çmimet e ushqimeve dhe karburanteve, qiratë dhe skandalet politike vazhdojnë të krijojnë terren për votën e protestës dhe forcat antisistem.
Për këtë arsye, dalja e Kasidhiaris nga burgu nuk përbën vetëm lajmin e lirimit të një ish-deputeti të dënuar.
Ajo hap një kapitull të ri politik dhe juridik: nëse një prej figurave kryesore të Agimit të Artë mund të rikthehet në politikën aktive pas përfundimit të dënimit dhe, nëse po, sa mbështetje mund të arrijë të mbledhë në një Greqi shumë të ndryshme nga ajo e vitit 2012.
Përgjigjen e parë pritet ta japë vetë Kasidhiaris me shpalljen e planeve të tij. Përgjigjen përfundimtare për të drejtën e tij për të hyrë sërish në garën elektorale, megjithatë, mund ta japë edhe një herë drejtësia greke.
